Programe socializuese - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 31/07/2018

Programe socializuese

Riintegrim i të miturve në kontakt me ligjin

Të miturit e Tiranës me probleme të lehta me ligjin, do të kenë mundësi të trajtohen pranë komunitetit të tyre, duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës. Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin. “Marrëveshja që po nënshkruajmë ka vlerën e gurit të themelit në një sistem të ri, krejtësisht bashkëkohor që ne jemi duke ndërtuar për drejtësinë për të miturit. Është një proces, i cili përbën një risi jo vetëm për vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Gjonaj. Nga ana e tij, kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për Ministrinë e Drejtësisë që mundësoi një marrëveshje të tillë, duke theksuar se ajo do të sjellë një metodë të re në rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, përmes një qasje miqësore për të miturit. Në bazë të marrëveshjes, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion të trajtimit dhe të rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin, 5 qendra sociale multifunksionale dhe gjithë stafin e saj të punonjësve të njësive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, punonjësve social dhe psikologëve.