Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, (INFOÇIP) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS), gjatë të cilit u shpallën gjetjet e Vlerësimit Kombëtar Tematik: “Vonesat në shqyrtimin gjyqësor dhe ne dorëzimin e vendimeve ne Gjykatat Administrative”
Ky vlerësim tematik u realizua për herë të parë me shtrirje të plotë kombëtare mbi të gjithë sistemin e gjykatave administrative në vend dhe ka analizuar të gjitha vendimet gjyqësore (mbi 10 mijë) të dhëna nga gjykatat administrative gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015.
Gjatë fjalës së tij në hapjen e këtij aktiviteti, Ministri Manjani i vlerësoi rezultatet e sjella nga ky kërkim, duke cilësuar se problemet në sistemin e gjykatës administrative janë të mëdha, shpesh të natyrës organizative, të tilla që edhe kanë vënë në vështirësi realizimin e qëllimit për të cilin u krijua gjykata administrative.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
“Kënaqësi që jam sot në këtë event sepse të jem i sinqertë vlerësimi profesional i punës së gjyqtarëve dhe të gjykatave është ajo që ka nevojë opinioni publik sot. Kam qenë dhe jam i bindur se vlerësimi populist kudo që të bëhet ndaj punës profesionale të profesionistëve, nuk ndihmon, përkundrazi shtyn në kohë të keqen dhe nuk e zgjidh problemin. Prandaj unë e mbështes shumë këtë inisiativë tuajën, sepse problemet në sistemin e gjykatës administrative janë të mëdha, janë të natyrës organizative siç thoni ju me shumë të drejtë, janë të tilla që edhe na kanë vënë në vështirësi për vetë qëllimin për të cilin u krijua gjykata administrative. Qëllimi për të cilin u krijua gjykata administrative ishte që të shërbejë shpejt, në mënyrë të veçantë komunitetit të biznesit, ku palë themelore sigurisht që është shteti, është qeveria dhe jo gjithmonë kur vendoset kundër qeverisë, vendimet janë të padrejta. Prandaj u krijua gjykata administrative dhe u krijua që të gjykojë shpejt dhe fakt është që sot kemi ende një stok çështjesh veçanërisht në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila ka vështirësi organizative, vështirësi e cila besoj në disa masa që kemi marrë, po merr rrugën e zgjidhjes.
Natyrisht janë programuar dhe disa masa të tjera të natyrës organizative dhe për fat të keq bllokimi i vendimmarrjes për ndërhyrje në legjislacion nuk na ka ndihmuar, përkundrazi na e ka shtyrë në kohë çështjen e zgjidhjes së problemeve organizative në këtë gjykatë. Sigurisht ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme që KLD e sotme i ka dhënë Gjykatës Administrative edhe kur shtuam trupën gjyqësore, por edhe së shpejti besoj do të ketë vendimmarrje për plotësimin e vendeve vakante, me qëllim që të zhvillohet procedura gjyqësore në kohën e duhur.
Unë jam nga ata që e besoj se vonesa në gjykim përkthehet në perceptimin publik si korrupsion dhe ne duhet t’i japin zgjidhje kësaj çështje. Sigurisht që çështja është perceptim dhe është në mendjet e njerëzve. Duhet ta themi dhe këtë që shumica dërrmuese e perceptimeve të krijuara, krijohen nga njerëz të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të vetme në sallën e gjyqit, prandaj ngelet perceptim, por ama duhet të kuptojmë një gjë dhe unë duhet ta them këtë, që në sallën e gjyqit gjykohet me prova, jo me llafe, jo me perceptime dhe kjo vlen edhe për vetë gjyqtarët. Në sallën e gjyqit ku merret vendimi gjykohet me prova. Nuk gjykohet me thashetheme, nuk gjykohet me hamëndje dhe kjo është një gjë që duhet ta kuptojmë njëherë e mirë. Kjo është, sikurse sot para reformës, sikur gjatë reformës, si dhe pas reformës kështu do të jetë, sepse nuk ka refomë që të detyrojë gjykatat që të vendosin pa prova. Kjo është një gjë që ne duhet ta kuptojmë njëherë e mirë, sepse nganjëherë qëndrimet publike populiste për fat të keq, nganjëherë na çojnë në perceptime të gabuara. Prandaj vlerësimi im është maksimal për nismën tuaj, që vlerësime të natyrës profesionale për punën e gjykatave, për punën e institucioneve të drejtësisë të jetë kështu siç e keni bërë ju, është diçka që mirëpritet, është diçka që ia vlen sepse realisht këtu gjejmë zgjidhje. Në fjalorin publik dhe populist, sigurisht që nuk gjen dot zgjidhje, krijohen perceptime ose luftohen disa perceptime me perceptime të reja. Kjo nuk është një gjë që ndihmon as vetë reformën në drejtësi, e cila është në një fazë përfundimtare që ne shpresojmë që shumë shpejt do të ketë vendimmarrjet e duhura Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të fillojë të zhbllokohet vendimmarrja edhe për gjykatën administrative, që ne t’i japim realisht drejtim problemeve që ekzistojnë sot në këtë gjykatë. Janë probleme të natyrës organizative, e theksoj, të cilat besoj se ne do të bëjmë maksimumin brenda limiteve financiare që ka shteti, brenda limiteve të burimeve njerëzore që kemi sot në dispozicion, sepse është shumë e rëndësishme që kjo gjykatë të gjykojë shpejt.
Po shqyrtojmë edhe mundësinë e shtimit përsëri ndoshta eventualisht edhe të një trupi gjyqësor të re tjetër, në kuptimin e numrit të gjyqtarëve në gjykatën e apelit, se stoku është vërtet i madh rreth 10000 çështje. Ky numër i madh çështjesh për shkak të një interpretimi që ka ardhur nga Gjykata e Lartë, për të cilat sigurisht ne nuk mund të komentojmë, përkundrazi duhet të marrim masa ta zbatojmë, kjo është detyra jonë, por kjo nuk na justifikon sigurisht aspak që sot një vit ne të jemi prap me të njëjtat të dhëna, përkundrazi ne duhet t’i evitojmë, të gjejmë një mënyrë për t’i evituar.
Ju falenderoj sigurisht për mbështetjen që na jepni me konkluzione absolutisht shkencore, absolutisht të bazuara edhe në perceptimin e opinionit publik sigurisht, sepse nuk mund të injorojmë opinionin publik, përkundrazi opinioni publik është busulla jonë orientuese. Nëse nuk bind publikun nuk ke bërë asgjë, kështu që nga kjo pikëpamje them që kjo nisëm ia vlen dhe ia vlen sigurisht të thellohet më tej”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.