Fjala e Ministres së Drejtësisë në prezantimin e Drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve
I nderuar z. Kryeministër!
Të nderuar drejtues të sistemit penitenciar në vend!
Prezantimi i Drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve, sot, vjen në një moment deçiziv
për ecurinë e një prej reformave më të rëndësishme të ndërmarra vitin e fundit nga Ministria e Drejtësisë, siç është reforma në sistemin penitenciar.
Ndryshimet rrënjësore që ne kemi ndërmarrë në sistemin penitenciar në vend,
kanë pasur rezultate mjaft të mira në drejtim të forcimit të sigurisë së brendshme dhe pastrimit të personelit të shërbimit nga elementet e papërshtatshëm. Por në të njëjtën kohë janë evidentuar problematika të mprehta, për të cilat jemi të vendosur të gjejmë zgjidhje të plota ligjore.
Në të njëjtën kohë angazhimi total i qeverisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bëjnë të domosdoshëm një rishikim të plotë dhe forcim të mëtejshëm të të gjitha protokolleve të sigurisë së brendshme, kjo
në funksion të izolimit të elementeve me rrezikshmëri të lartë. Që prej shtatorit të vitit të kaluar ne jemi angazhuar maksimalisht në Reformën e sistemin penitenciar si një formë integrale, pjesë e Reformës së Drejtësisë.
E nisëm gjithçka nga burimet njerëzore, si guri i themelit për të ndërtuar një sistem të sigurt dhe efikas.
Nga njëra anë filluam kontrollin e pastërtisë dhe profesionalizmit të punonjësve që shërbenin në burgje dhe nga ana tjetër nisëm të projektonim një sistem të ri dhe krejtësisht inovator të rekrutimit të personelit.
Rezultatet e verifikimit të personelit ishin tronditëse: Më shumë se 130 punonjës me rekorde kriminale, të dënuar me vendime të formës së prerë, e megjithatë ishin marrë në punë në shkelje të plotë të ligjit.
Paralelisht me largimin e tyre nga puna, vendosëm që rekrutimin dhe trajnimin e mëtejshëm të personelit të shërbimit në Burgje, të mos e kryente më Ministria e Drejtësisë apo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por një institucion më i specializuar siç është Akdemia e Sigurisë.
Që prej janarit të këtij viti, falë marrëveshjes me Ministrinë e Brendshme, 450 punonjës të policisë së burgjeve janë pranuar nëpërmjet konkurrimit dhe më pas trajnimit nga Akademia e Sigurisë.
Me mbështetjen e qeverisë, një angazhim serioz janë dhe investimet në infrastrukturë,
ku para disa muajsh inauguruam hapjen e IEVP-së në Reç të Shkodrës, i cili tashmë ka filluar nga funksionimi.
Ndërkohë disa projekte të rëndësishme rikonstruksioni janë në proces për disa IEVP-ë me qëllim përmirësimin e kushteve dhe trajtimin e të dënuarve.
Shumë shpejt do të vëmë në zbatim dy projekte pilot lidhur me forcimin e elementeve të sigurisë në institucionet e sigurisë së lartë me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe qeverisë britanike.
Forcimi i masave të kontrollit për të garantuar një siguri sa më të lartë në burgje ishte një tjetër hap i rëndësishëm i ndërmarrë që në nisje të reformës.
I dhamë një dimension të ri punës së strukturave të kontrollit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe veçanërisht Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve.
Masat e marra kanë dhënë rezultate të mira me qëllim krijimin e një trupe shërbimi të pastër moralisht dhe ligjërisht dhe të aftë profesionalisht, ashtu sikurse edhe në drejtim të forcimit të sigurisë së brendshme në burgje, por sigurisht që ato nuk janë të mjaftueshme.
Gjatë periudhës nga shtatori i 2017 deri më sot, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore rreth 429 vepra penale në burgje me 269 autorë. Janë proceduar penalisht 91 punonjës të policisë së burgjeve dhe punonjës të administratës civile të burgjeve.
Situatat më të fundit të krijuara në disa ngjarje kriminale në vend, ku ka pasur hezitim nga ana e strukturave të policisë së burgjeve për të zbatuar ligjin ndaj personave të arrestuar me vendim gjykate apo dhe hezitim për të zbatuar ligjin brenda institucioneve për disa elemente kriminale, janë një sinjal i fortë që duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të marrim masat për ndryshimin e situatës.
Elementi kriminal ka si synim konstant, vazhdimin e veprimtarisë së paligjshme dhe depërtimin në barrierat apo kontrollet tona të sigurisë, për çka do të përpiqet të shfrytëzojë çdo pasiguri, hezitim, mosvëmendje, apo më keq akoma tendencë për korruptim nga ana e trupës së shërbimit.
Në vazhdën e masave në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, qeveria ka ndërmarrë javën e kaluar edhe dy nisma të rëndësishme që do të kontribuojnë në rritjen e kontrollit dhe sigurisë në burgje.
Njëra nga këto masa është ngritja e sallës qendrore operacionale 24 orë të kontrollit të situatës në burgje pranë DPB-së me akses të plotë nga SHKBB-ja dhe Forca e Ligjit.
Nisma tjetër ligjore ka të bëjë me vendosjen e një regjimi izolimi për të dënuarit dhe të akuzuarit për një vepër penale të kryer në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste apo për vepra me qëllime terroriste.
Është detyra e çdo drejtuesi dhe çdo punonjësi në sistemin penitenciar që të zbatojë me përpikërinë maksimale detyrat funksionale në zbatim të ligjit.
Dhe jemi të vendosur të mos tolerojmë askënd, që harron detyrën e vet funksionale apo joshet nga tundimi i korrupsionit dhe u hap udhë të dënuarve apo të paraburgosurve të vijojnë aktivitetin e tyre kriminal.
Jemi të ndërgjegjshëm që në radhët e stafit policor dhe punonjësve civilë ka njerëz të dedikuar që e kryejnë veprimtarinë dhe detyrën e tyre edhe në kushte të vështira. Por me mbështetjen e Kryeministrit dhe të qeverisë, për vitin 2019 po rishikojmë politikat e trajtimit financiar të stafit të policisë së burgjeve me qëllim mbështetjen më të mirë financiare për pagat dhe shpenzimet e tjera logjistike.
Për herë të parë që pas 10 vjetësh, punonjësit e policisë së burgjeve do të pajisen me uniforma të reja dhe në paketën e re ligjore që po punohet së bashku me partnerët ndërkombëtare do t’i kushtohet një vëmendje e veçante karrierës dhe trajnimit profesional të stafit të burgjeve.
Në krye të Policisë së Burgjeve që nga dita e sotme do të jetë z. Bardhul Kaçori, me një karrierë të gjatë dhe të spikatur në radhët e Policisë së Shtetit, ku ka mbajtur edhe poste të larta drejtuese.
Përgatitja dhe përvoja e tij në fushën e sigurisë publike do të jetë një vlerë e shtuar në një strukturë kaq të rëndësishme siç është Policia e Burgjeve.
Duke i uruar suksese drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve, më lejoni t’ia jap fjalën Kryeministrit të vendit, z. Edi Rama.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.