“Epoka e dixhitalizimit të shërbimeve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe objektivi ynë kryesor, për një Shqipëri Europiane e kërkon një gjë të tillë dhe ne jemi zotuar se do ta realizojmë”.
Kjo ishte deklarata e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço gjatë ceremonisë së finalizimit të Sistemit Elektronik të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ALBSReP), projekt i cili do të lehtësojë punën e të gjithë ekspertëve dhe punonjësve të ZVRPP, do të rrisë transparencën e veprimeve të ZVRPP mbi pronat, do të lehtësojë menaxhimin e aktivitetit të të gjithë Zyrave Vendore, si dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Shtrirjen e këtij sistemi në gjithë territorin, pra në të 35 zyrat vendore, Ministri Naço e ka cilësuar një tjetër premtim të mbajtur të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë duke theksuar se çdo fjalë e dhënë do të jetë një realizim.
“Në Shtator të vitit 2013, kohë kjo kur ne morëm mandatin për të qeverisur vendin, sistemi i aplikimit elektronik të subjekteve ishte i shtrirë vetëm në 5 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Edhe pse ishte një sfidë jo e vogël, ne premtuam shtrirjen e këtij sistemi në gjithë territorin, pra në të 35 zyrat vendore. Sot jemi krenar pasi e mbajtëm premtimin tonë! Kjo do të sjellë transparencë, shërbim efektiv ndaj publikut në më pak kohë, besueshmëri dhe partneritet më solid me aleatin tonë, qytetarin”, theksoi z. Naço
Gjithashtu Ministri Naço vlerësoi se ky sistem krijon mundësinë e përdorimit të tij edhe nga institucionet e tjera dhe aksesi në program realizohet nëpërmjet marrrëveshjeve të bashkëpunimit që secili institucion i interesuar do të ketë me zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Për Ministrin Naço, një sistem i mirë dhe funksional si ALBSReP, nuk mund të japë rezultatet e dëshiruara në rast se ai përdoret nga punonjës të pakualifikuar apo nga të tjerë nëpunës të cilët e keqpërdorin besimin e dhënë për kryerjen e detyrës dhe përfshihen në akte korruptive.
“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se në programin qeverisës, jemi zotuar ndër të tjera në përmirësimin e shërbimeve publike dhe verifikimin e cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbyes të qytetarëve. Qëllimi ynë është i qartë, përpos investimit në teknologji, ne do të investohemi po kaq edhe në përmirësimin e aftësive profesionale të punonjësve të zyrave të regjistrimit, por nga ana tjetër do të luftojmë shfaqjen e korrupsionit në të gjitha format e tij”, tha z. Naço
Për të arritur këto objektiva, Ministri i Drejtësisë njoftoi se së shpejti do të nisi një cikël trajnimesh për administratën e zyrave të regjistrimit me qëllim rritjen e cilësive profesionale të punonjësve të këtyre zyrave, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.