Përafrimi i legjislacionit me BE-në, Ministri Naço: Sundimi i ligjit, sfidë madhore - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/05/2014

Përafrimi i legjislacionit me BE-në, Ministri Naço: Sundimi i ligjit, sfidë madhore

I pranishëm në konferencën me temë “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së: Premisat dhe Sfidat”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço theksoi se thellimi dhe përmbushja e reformave të mëtejshme të vendit është e lidhur ngushtë me perspektivën evropaine të Shqipërisë.

Ndërsa është ndalur në hapat e ndërmarra, për përmbushjen e 5 prioritete kyçe në kuadër të procesit të hapjes së negociatave, të identifikuara nga Raport Progresi i Komisionit Evropian 2013, Ministri Naço vlerësoi se reformat në drejtësi dhe përafrimi i legjislacionit me acquis communitare, janë dy nga sfidat, që duhen përballuar në rrugën drejt BE-së, si dhe kolonat mbështetëse të këtij rrugëtimi.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço:

Perspektiva Evropiane e Shqipërisë është shumë e rëndësishme, ajo na  nxit për përmbushjen e reformave të mëtejshme brenda vendit.

Sic ka thënë dhe Komisioneri i Lartë për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan FYLE ka thënë : Dukshëm forca kryesore shtytëse e Shqipërisë për të ecur drejt proceseve integruese të BE-së janë reformat e qëndrueshme në vend.

Sa më qartë që Shqipëria ta tregojë se po e ruan tempin ne reformimin e sistemit te drejtësisë dhe te administratës publike, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, aq më e lehtë do të jetë marrja e një vendimi pozitiv për statusin e vendit kandidat në qershor.

Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme se sfidat më madhore kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, si me reformat administrative  dhe  të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto janë çështje kyçe për një demokraci dhe ekonomi funksionale, të cilat kushtëzojnë në një masë të madhe procesin e anëtarësimit në BE.

Reformat në drejtësi dhe përafrimi i legjislacionit me acquis communitare, janë dy nga sfidat, që duhen përballuar në rrugën drejt BE-së, si dhe kolonat mbështetëse të këtij rrugëtimi.

Jemi të vetëdijshëm gjithashtu që kemi shumë punë për të bërë në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës nëpërmjet:

-luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,

-reformimit, dixhitalizimit, modernizimit të sistemit gjyqësor, me një qasje të re në drejtim të një:

  • faqe të re në sundimin e ligjit në Shqipëri,
  • vizion të ri dhe të qartë
  • drejtësi që ofron siguri për çdo qytetar.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian 2013 identifikoi 5 prioritete kyçe në kuadër të procesit të hapjes së negociatave.

Në përgjigje të këtyre prioriteteve dhe me qëllim avancimin e mëtejshëm në rrugën tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Qeveria ndërmori një sërë hapash dhe masa konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të konkretizuar këto në një plan veprimi.

Në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë është marrë angazhimi për hartimin e një UDHËRRËFYESI, i cili zbërthen në një set masash me hapa dhe përgjegjësi të qarta për çdo institucion, të gjitha detyrimet për përmbushjen e 5 prioriteteve.

Masat e parashikuara në këtë UDHËRRËFYES shprehin angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, në parashikimin dhe zbatimin e çdo iniciative dhe aktiviteti të nevojshëm për plotësimin e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

  1. Përsa i përket reformës së Administratës Publike, një nga objektivat kryesore është zbatimi i ligjit “Për nëpunësin civil”, duke miratuar aktet nënligjore të dalë në zbatimit të këtij ligji.

Janë ndërmarrë hapa konkrete për përmirësimin e procedurave të rekrutimit,

emërimit,

dhe promovimit në shërbimin civil.

Në fokus të kësaj reforme është edhe funksionimi i plotë i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), pajisja me mjetet e nevojshme dhe burimet njerëzore.

Forcimi i kapaciteteve administrative dhe koordinimi me Departamentin e Administratës Publike është një objektiv tjetër në kuadër të kësaj reforme.

Masë tjetër e rëndësishme përfshin hartimin e Kodit të ri të Procedurave Administrative, i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian, të cilët gjej rastin t’i falënderoj.

Ky Kod synon, ndër të tjera:

–           Forcimin e parimit të sigurisë ligjore,

–           përmirësimin e transparencës së vendimmarrjes në procedurat administrative,

–           siguron procedura administrative të shpejta dhe efektive për administratën publike,

–           siguron për qytetarët mjetet e duhura e të nevojshme për të kërkuar të drejtat e tyre, në njehsimin me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.

Prioriteti 2,Rritja e pavarësisë së institucioneve gjyqësore.

Në kuadër të këtij prioriteti do te ndërmerren masa legjislative dhe jo vetëm.

  • Përsa i përket procesit legjislativ, jemi të angazhuardhe në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, si dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për finalizimin e reformave, që synojnë forcim të pavarësisë, dhe të profesionalizimit në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Gjatë takimeve të zhvilluara në nivel teknik, me ekspertët e Komisionit të Venecias, është kërkuar asistenca  në:

  • Reformimin e Gjykatës së Lartë:

e cila po përballet me një numër çështjesh të mbartura penale dhe civile, ndër vite, dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese.

  • Reformimi i Gjykatës Kushtetuese,

Reforma në Gjykatën Kushtetuese vlerësohet si prioritare me adresimin në çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve,

procedurat e përzgjedhjes së tyre,

organizimin e kësaj gjykate,

përmirësimin e statusit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;

përmirësimin e statusit të shërbimeve ndihmëse;

vendosjen e afateve të arsyeshme për shpalljen e vendimeve etj.

  • Reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë është prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të problematikave, qe lidhen me:

përbërjen,

statusin

rolin e anëtarëve të KLD-së;

emërimin,

transferimin,

procesin e vlerësimit të gjyqtarëve;

por njëkohësisht shmangien e mbivendosjes së dy inspektorateve,  të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së, si dhe harmonizimin e tyre , pse jo, dhe me kontrolle të përbashkëta.

Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve, bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë, vetëm në sajë të meritës profesionale.

  • Reformimi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm

– Vëmendje do t’i kushtohet edhe reformimit të këtij Institucioni, ku ndër të tjera, prioritare do të jetë forcimi i kompetencave dhe transparencës së Këshillit të Prokurorisë,

i cili aktualisht sot ka vetëm funksione këshillimore.

Kjo në funksion të një ridimensionimi të kompetencave të tij, që ai të mos mbetet një organ vetëm konsultativ, por dhe vendimarrës, siç funksionon dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

  • Miratimi i reformimit të Ligjit për Avokaturën e Shtetit, në mënyrë që avokatët e shtetit të jenë të vetmit përfaqësues të administratës publike në gjykata, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së;
  • Lidhur me të drejtat e fëmijëve brenda sistemit gjyqësor, do të bëhet rishikimi i Kodit të Procedurës Penale, me qëllim rregullimin e të gjitha procedurave penale, që kanë të bëjnë me të miturit, mbi bazën e studimeve të kryera nga UNICEF dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë
  • Përveç masave legjislative, një vëmendje e veçantë, do t’i kushtohet masave zbatuese si:
  • konsolidimit të  sistemit të menaxhimit të çështjeve në të gjitha gjykatat;

kontrolli mbi funksionimin e caktimit të mekanizmit të hedhjes së shortit, e cila

ndikon drejtpërdrejtë në:

besimin e publikut,

në rritjen e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në veprimtarinë e gjykatave shqiptare,

në efektivitetin e veprimtarisë së administratës gjyqësore në kohë e cilësi,

si dhe  përmirëson procedurat e mbikqyrjes së veprimtarisë në këto gjykata.

  • Kontrolli dhe inspektimi online i noterëve nëpërmjet sistemit RNSH ( Regjistri Noterial Shqiptar)
  • Shqyrtim i plotë i ankesave ndaj avokatëve rreth sjelljeve joprofesionale që janë paraqitur në Dhomën e Avokatëve;
  • Forcimi i aksesit në drejtësi. Referuar dhe gjetjeve të Raport Progresit, të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2013, ku theksohet se një ndër problematikat shqetësuese dhe të vazhdueshme ndër vite, ka qenë pikërisht pengimi i aksesit në drejtësi për shkak të tarifave të larta në gjyqësore, në muajin Dhjetor 2013, ka ndryshuar udhëzuesi për përcaktimin e tarifave të të gjitha shërbimeve të administratës gjyqësore, duke i reduktuar tarifat në masën 37 % – 50 %.
  • Thjeshtimi i procedurave për përfitimin e Ndihmës Juridike,

Rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në sigurimin dhe kontrollin e ndihmës juridike, nëpërmjet krijimit të zyrave vendore të ndihmës juridike. Forcimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare dhe OJF-të.

Prioriteti 3. Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë kudo në botë.

Lufta kundër korrupsionit ështëidentifikuar qartazi ngapartnerëtndërkombëtarë, por sidomos nga BE-ja, si një nga elementët kyç për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Në kuadër të prioriteteve të qeverisë sonë , lidhur me politikat anti-korrupsion, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, janë ndërmarrë një numër masash konkrete për të siguruar llogaridhënie duke dëshmuar vullnetin e fortë politik të qeverisë për të luftuar fenomenin e korrupsionit në vend.

Gjatë kësaj periudhe është krijuar institucioni i Koordinatorit Kombëtar Anti- korrupsion, si një organ i rëndësishëm në nivel ministror që do të koordinojnë masat kundër korrupsionit dhe politikat në nivel kombëtar.

Për t’i dhënë një dimension të ri, më të plotë, luftës kundër korrupsionit u miratua:

  • paketa antikorrupsion.

-Ku në Kodin e Procedurës Penale”, në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda u shtuan edhe veprat penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, të gjyqtarëve, prokurorëve etj.,

ku korrupsioni konsiderohet, si krim i rëndë, jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në faktin që këto vepra penale do të luftohen me të njëjtat mjete, siç luftohen organizatat dhe bandat kriminale.

-Gjithashtu me ndryshimet e bëra në K.Pr. Penale u harmonizua legjislacioni procedural, në përputhje me ndryshimet kushtetuese, të bëra në vitin 2012, për kufizimin dhe heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë, përfshirë dhe gjyqtarët e të gjitha niveleve, pasi kjo reformë në atë kohë, nuk u shoqërua me ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtarë si OPDAT, OSBE, PAMEKA, Misioni EURALIUS, ka përgatitur një draft pune për ndryshime thelbësore në:

– K. Pr. Penale, të cilat i janë shpërndarë për mendim gjithë aktorëve të drejtësisë, ku:

1.         Do të përmirësojë ndjeshëm sistemin ekzistues;

2.         Do të përcaktohen qartë rolet e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë.

– Në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (ligji antimafia) në fushën e zbatimit të tij u shtuan vepra penale të korrupsionit, për zyrtarët e lartë që nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Deputetë, Ministra, gjyqtarët e prokurorët të çdo niveli, të zgjedhurit vendorë etj.

  • Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet inspektoratit gjyqësor dhe agjencive anti-korrupsion, po punohet në drejtim të:
  1. ndjekjes së zbatimit të memorandumit të bashkëpunimit me ILDKP-në;
  2. Nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me institucionet/agjencitë që luftojnë korrupsionin,
  3. Krijimi i një sistemi për publikimin e të gjitha vendimeve gjyqësore me arsyetimin e tyre përkatës brenda afatit të arsyeshëm dhe në respekt të plotë të mbrojtjes së të dhënave personale.

Prioriteti 4. , që lidhet me luftën kundër krimit të organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Shqipëria është e angazhuar për të çuar përpara rezultatet pozitive të arritura dhe adresimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të KE-së të vitit 2013 për Shqipërinë.

Krijimi i një sistemi të konsoliduar të dhënash (track record) lidhur me hetimet mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin është shumë i rëndësishme lidhur me faktin që plotësimi dhe rakordimi në vazhdimësi i statistikave të konsoliduara për

  • korrupsionin dhe krimin e organizuar,
  • trafikimin e qenieve njerëzore,
  • trafikimin e lëndëve narkotike,
  • trafikimin e armëve,
  • pastrimin e parave dhe hetimin e aseteve kriminale.

Koordinimi i përpjekjeve antitrafik në nivel kombëtar bëhet nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe publikun e gjerë.

Prioriteti 5. Lidhur me fushën e të drejtave të njeriut, objektivat kryesore, përfshijnë ndërmarrjen e masave legjislative, si psh: trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve,

Për këtë, pak javë më parë, është miratuar në Parlament paketa ligjore, në lidhje me trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, si dhe të policisë së burgjeve.

Ndryshimet e bëra kanë sjellë risi në:

  • trajtimin më të kujdesshëm të të miturve,
  • trajtimin i të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor dhe me aftësi të kufizuar,
  • rehabilitimi social dhe riintegrimi,
  • kërkesat dhe ankesat, masat disiplinore, rregullat e transferimit,
  • lejet shpërblyese dhe të veçanta, etj.

Përafrimi i legjislacionit dhe i standarteve me ato të BE-së është në proces dhe mbetet sfidë madhore për Shqipërinë. Reformat tona në sistemin e drejtësisë do të flasin të njëjtën gjuhë me atë të Brukselit.