Parandalimi i Torturës, Ministri Vasili takim me drejtuesin e mekanizmit në Itali - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/05/2017

Parandalimi i Torturës, Ministri Vasili takim me drejtuesin e mekanizmit në Itali

Ministri i Drejtësisë z. Petrit Vasili ka pritur në takim z. Mauro Palma, Drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Itali.

Z. Palma në cilësinë e Garantit Kombëtar të të Drejtave për Personat me Liri të Kufizuar në Itali, po realizon një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ku pjesë e axhendës së tij ndër të tjera është dhe realizimi i takimeve me drejtues të institucioneve kushtetuese të bashkëpunimit të drejtëpërdrejtë, por dhe vizita në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. Ai është një personalitet i shquar në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka drejtuar për një kohë të gjatë Komitetin për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europës (CPT).

Përveç diskutimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe vlerësimin e nevojave e mjeteve të duhura në luftën për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria, z. Palma theksoi se vendet tona duhet edhe të shkëmbejnë ndërmjet tyre përvojën e evolucionit kulturor, sepse kjo është një nga mënyrat më të mira të bashkëpunimit.

Ministri Vasili, theksoi angazhimin për vijimin e këtij bashkëpunimi midis dy vendeve tona dhe respektivisht me institucionet e Avokatit të Popullit të Shqipërisë apo çdo mekanizmi tjetër shtetëror apo jo-qeveritar për të siguruar një sistem objektiv, cilësor, mbikëqyrës e raportues në këtë fushë, çka do të na sjellë një rezultat pozitiv sa i takon respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për shtetasit me liri të kufizuar.

“Shkëmbimi eksperiencave dhe mbajtja e marrëdhënieve të drejtpërdrejta, jo vetëm do të rrisë bashkëpunimin, por natyrshëm do të ndryshojë në drejtim pozitiv sjelljen e  punonjësve në sistemin tonë penitenciar, në përputhje me detyrimet që kemi duke shëndoshur kështu dhe vet sistemin në tërësi”, theksoi Ministri Vasili.