Njoftim për shtyp - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/10/2017

Njoftim për shtyp

 

Në kuadër të mbledhjes së qeverisë organizuar në Qarkun Dibër më datë 10-11 Nëntor Ministrja e Drejtësisë Znj Etilda Gjonaj organizoi një mëngjes pune me drejtues të Institucioneve të Varësisë së Ministrisë së Drejtësisë për Qarkun Dibër. Gjatë takimit Ministrja u njoh nga afër me problemet e mbartuara nga institucionet e varësisë veçanërisht mungesën e stafit të kualifikuar dhe nevojën për përmirësimin e kushteve të punës. Ministja i udhëzoi drejtuesit vendor mbi nevojën për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Veçanërisht zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe ALUIZNI-t u udhëzuan për të trajtuar në kohë dhe për të zgjidhur çdo kërkesë që paraqitet në sportelet e këtyre institucioneve.

Nga ana tjetër, Drejtuesit e zyrave Rajonale të Përmbarimit u angazhuan për të përmirësuar shërbimin e ekzekutimit të titujve ekzekutiv dhe rritjen e cilësisë së ofrimit të këtij shërbimit ndaj qytetarëve.
Ministrja vizitoi zyrën vendore të pasurive të paluajtshme në Dibër, ku gjatë vizitës mori premtimin nga drejtuesi vendor i një prej bankave të nivelit të dytë në Dibër për investim me qëllim përmirësimin e kushteve të zyrës së pritjes së qytetarëve në këtë ZVRPP. Më pas, vizitat u zhvilluan në zyrën vendore të ALUIZNI-t, zyrën vendore të shërbimit të provës dhe zyrën rajonale të Përmbarimit. Fokusi kryesor i këtyre vizitave ishte njohja nga afër me kushtet e punës së zyrave vendore dhe veçanërisht me kushtet e ambienteve të pritjes dhe ofrimit të shërbimeve ndaj publikut.

Më tej, Ministrja kreu një vizitë inspektuese në IEVP të Burrelit dhe institucionet e varësisë në qytetin e Burrelit. Gjatë vizitës inspektuese në IEVP Ministrja u njoh nga afër me personelin dhe infrastrukturën e burgut si dhe bisedoi dhe dëgjoi shqetësimet e personave të dënuar me burgim mbi mënyrën e trajtimit dhe kushtet e përgjithshme në këtë IEVP. Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në kryerjen e reformës në sistemin penitenciar me qëllim rritjen e cilësisë së stafit, sigurisë dhe kushteve të përgjithshme në IEVP.

Takimet dhe vizitat inspektuese vijnë në kuadër të angazhimit të Qeverisë për bashkëqeverisjen me qytetarët dhe ndërtimin e një administrate në shërbim të publikut. Për këtë qëllim, Kryeministri zhvilloi një dëgjesë me banorët e zonës së Dibrës ku diskutoi mbi shqetësimet e përditshme të banorëve dhe punë që po kryen qeveria për zgjedhjen e tyre.