Njoftim për shtyp - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/11/2017

Njoftim për shtyp

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, gjatë vizitës së saj në Kukës pas prezantimit të Prefektit të Qarkut, në kuadër të programit të bashkëqeverisjes, zhvilloi një takim me qytetarët e këtij qarku, anëtarë të shoqërisë civile ku të pranishëm ishin gjithashtu gjithë drejtuesit vendorë të institucioneve të varësisë të Ministrisë së Drejtësisë për qytetet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Në këtë takim Ministrja e Drejtësisë shoqërohej gjithashtu edhe nga deputetja e qarkut të Kukësit, znj. Mimi Kodheli.

Znj. Gjonaj parashtroi para qytetarëve të qarkut Kukës prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare në fushën e drejtësisë si dhe të Ministrisë së Drejtësisë duke theksuar faktin se një ndër prioritetet kryesore është bashkëqeverisja me qytetarët. Në emër të institucionit që ajo drejton shprehu angazhimin e plotë se do te ndjekë çdo shqetësim që do të vijë nga qytetarët për ti dhënë zgjidhje. Tashmë është atashuar pranë Ministrisë së Drejtësisë Platforma për Bashkëqeverisje me qytetarët, lançuar edhe nga Kryeministri, që do të ndjekë të gjithë ankesat e qytetarëve në çdo hap deri tek zgjidhja e problemit.

Ministrja e Drejtësisë në kuadër të bashkëqeverisjes me qytetarët theksoi që dy janë prioritet kryesore të Ministrisë në këto 100 ditë të para; përmirësimi i pritjes së ankesave të qytetarëve në çdo sportel si dhe ofrimi i shërbimeve ligjore falas nëpërmjet Klinikës ligjore falas që do të hapet së shpejti në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë.

Znj Gjonaj nënvizoi gjithashtu që një ndër prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë është zbatimi i reformës në drejtësi si dhe mbështetja e saj në aspektin financiar dhe logjistik. Kjo reformë synon  një gjyqësor të paanshëm, të pa korruptuar dhe  të pavarur nga politika, duke i dhënë fund sorollatjeve për 20 vjet të qytetarëve në dyert e gjykatave për shkak të zvarritjeve që bëhen nga gjyqtarët apo prokurorët.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh se prioritet tjetër është reforma në burgje. Ministrja theksoi që nuk do të ketë më drejtues burgjesh me rekorde penale apo të dënuar më parë për shpërdorim detyre si dhe drejtues të cilët nuk plotësojnë kriteret ligjore për të qenë në krye të këtyre institucioneve. Për këtë arsye për të parandaluar korrupsionin në burgje janë shpallur konkurset për drejtues të këtyre institucioneve, për të cilat znj. Gjonaj theksoi që ky është një konkurs real dhe ftoi të gjithë ata të cilët plotësojnë kriteret ligjore për të konkurruar duke garantuar procedura transparente dhe mbi baza meritokracie.

Znj. Gjonaj theksoi që e njëjta praktikë po ndiqet edhe për regjistruesit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke marrë shkas nga fakti që ankesat më të shumta të cilat vijnë në Ministrinë e Drejtësisë kanë të bëjnë me pronat. Në kuadër të prioriteteve të Qeverisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë ky problem do të adresohet me ridizenjimin e institucioneve që trajtojnë problemet e pronave në një agjenci të integruar për pronat.

Zonja Gjonaj ftoi gjithë qytetarët që për çdo çështje që ata kanë të adresojnë problemet e tyre fillimisht në institucionet vendore të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë detyrimin  ligjor t’i përgjigjen çdo ankese të qytetarëve në kohë.

Pas këtij takimi me komunitetin, Ministrja e Drejtësisë u takua në mënyrë të veçantë me drejtuesit e institucioneve të varësisë në qarkun e Kukësit.

Në këtë takim drejtuesit e institucioneve parashtruan problematikat dhe nevojat që ka çdo institucion në këtë qark, për të cilat Ministrja premtoi angazhimin e saj maksimal në kuadër të prioriteteve të Ministrisë

Gjatë takimeve në Qarkun e Kukësit, Ministrja e Drejtësisë zhvilloi një vizitë edhe në ambientet e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ku u takua me drejtuesin dhe personelin e institucionit. Në këtë vizitë Ministrja u njoh nga afër me problemet infrastrukturore të këtij institucioni.