NJOFTIM  PËR  APLIKIM "KANDIDIM PËR POSTIN E ANËTARIT VËZHGUES DHE ANËTARIT VËZHGUES ZËVENDËSUES NË BORDIN E MENAXHIMIT TË AGJENCISË SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR TË DREJTAT THEMELORE" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/07/2020

NJOFTIM  PËR  APLIKIM “KANDIDIM PËR POSTIN E ANËTARIT VËZHGUES DHE ANËTARIT VËZHGUES ZËVENDËSUES NË BORDIN E MENAXHIMIT TË AGJENCISË SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR TË DREJTAT THEMELORE”

NJOFTIM  PËR  APLIKIM

KANDIDIM PËR POSTIN E ANËTARIT VËZHGUES DHE ANËTARIT VËZHGUES ZËVENDËSUES NË BORDIN E MENAXHIMIT TË AGJENCISË SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR TË DREJTAT THEMELORE

Nëpërmjet ligjit nr. 66/2019 është ratifikuar marrëveshja me shkëmbim notash “Bashkimi Evropian-Shqipëri për ‘Pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë, me cilësinë e vëzhguesit, në punën e Agjencisë së Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore dhe mënyrën e kësaj pjesëmarrjeje në kuadrin e Rregullores së Këshillit (KE) nr. 168/2007’ ”, mes Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE.

Qëllimi i Agjencisë është të mundësojë asistencë dhe ekspertizë në lidhje me të drejtat themelore për institucionet, organet, zyrat dhe agjencitë përkatëse të BE dhe Shteteve Anëtare të tij kur zbatojnë ligjin e Komunitetit, në mënyrë që t’i mbështesin ato kur ndërmarrin masa ose veprime brenda të kompetencës tyre për të respektuar plotësisht të drejtat themelore.

Në Agjenci mund të marrin pjesë në rolin e vëzhguesit edhe vendet kandidate dhe vendet me të cilat është lidhur Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Mandatet e anëtarit vëzhgues dhe anëtarit vëzhgues zëvendësues janë 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje, në përputhje me nenin 28(2), fjalia e 4, sikurse cituar edhe në nenin 12(3) të Rregullores nr. 168/2007.

Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Drejtësisë fton kandidatët e interesuar të aplikojnë për postet e anëtarit vëzhgues dhe anëtarit vëzhgues zëvendësues të Republikës së Shqipërisë.

 

Kandidatët për dy postet e sipërpërmendura në Agjencinë e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  1. Të kenë shtetësi shqiptare (e detyrueshme);
  2. Të mos kenë mbajtur prej të paktën 5 vitesh poste të larta drejtuese në një parti apo organizatë politike në vend;
  3. Të kenë të paktën 10 vite kontribut të vërtetuar aktivizmi/promovimi/monitorimi dhe raportimi/kërkimi shkencor/advokimi apo mbrojtjeje gjyqësore mbi çështje të të drejtave themelore të njeriut në vend;
  4. Të kenë njohuri të shkëlqyera për instrumentat dhe standardet ndërkombëtare e rajonale paralelisht me kuadrin ligjor për të drejtat e njeriut në vend, vërtetuar nga publikime/hulumtime/botime shkencore në këtë fushë;
  5. Të kenë aftësi të shkëlqyera kërkimi shkencor dhe social, si dhe eksperiencë hulumtimi me dokumentat strategjikë dhe punimet shkencore;
  6. Të kenë pasur pozicion/e drejtues/e apo të lartë/a manaxheriale në sektorin publik apo atë privat;
  7. Të njohin shumë mirë gjuhën angleze dhe/ose franceze si gjuhë pune e përdorur në Bordin e Menaxhimit të Agjencisë (zotërimi i të dyja gjuhëve njëherësh përbën avantazh).

 

Vlerësimi i kandidaturave do të bëhet mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar dhe fituesi do të njoftohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Kandidatët duhet të dorëzojnë në adresën kontakt@drejtesia.gov.al:

  • CV-në e përditësuar, duke përfshirë informacionin sipas kritereve të kërkuara;
  • Një letër motivimi;
  • Dëshmi të publikimeve/punimeve/raporteve të tij shkencore apo vendimeve gjyqësore (kur kandidati ka shërbyer si avokat për të drejtat e njeriut);
  • Kopje të librezës së punës;
  • Dëshmi të zotërimit të gjuhës(ve) të huaja.

 

Më tepër informacion mbi detyrat e Anëtarit Vëzhgues dhe Anëtarit Vëzhgues Zëvendësues mund të gjeni në adresën https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/ALL/?uri=CELEX%3A32007R0168.

 

Ministria e Drejtësisë mirëpret kandidaturat tuaja deri më 24.08.2020.