Nismat për ri-integrimin e të dënuarve, interes i të gjithë shoqërisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/04/2014

Nismat për ri-integrimin e të dënuarve, interes i të gjithë shoqërisë

Gjatë seancës së sotme plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Projektligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”,

Në fjalën e tij, mbi risitë dhe nevojën e ndryshimeve që do të sjelli ky projektligj, Ministri Naço theksoi se të dënuarit në burgjet shqiptare do të kenë mundësinë që shërbimet t’i marrin nga punonjës të specializuar dhe profesionistë, duke përcaktuar kriteret e qarta, që duhet të plotësojë personeli, apo stafi i punësur në këto institucione.

Gjithashtu z. Naço vlerësoi me rëndësi që kzekutimi i dënimit me burgim, të bëhet duke respektuar dinjitetin, liritë dhe të drejtat e të dënuarit, të orientuara nga parimi i humanizmit.

“Të dënuarve do t’u sigurohen programe integruese, individuale ose në grup, të cilat do të eleminojnë ndikimet paragjykuese dhe negative të burgimit. Përpjekjet për respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut, në institucionet e vuajtjes së dënimit, por edhe nismat për ri-integrimin e këtyre personave, duhet të jenë interesi i përbashkët i të gjithë shoqërisë”, u shpreh z. Naço

 

Më poshtë mesazhi i përcjellë nga Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në seancë plenare:

 

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, burgu njihej ndryshe si industria e tmerrit apo kampi i shfarosjes dhe syrgjynosjes, një sistem i instaluar jo vetëm në Shqipëri, por dhe në historinë e Ballkanit e më gjerë.

Karakteristikë e këtij sistemi ishin tiparet e trajtimit çnjerëzor, torturave fizike dhe psikologjike, deri në zhdukjen fizike të të burgosurve.

Me fillimin  e periudhës së demokracisë, u krijuan hapësira të nevojshme për trajtimin me dinjitet të personave me liri të kufizuar.

Të dënuarve u ofruan shërbime të specializuara dhe të kualifikuara, duke pasur si qëllim trajtimin human dhe me dinjitet.

Përpjekjet për respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut, në institucionet e vuajtjes së dënimit, nismat për ri-integrimin e këtyre personave, duhet të jenë interesi i përbashkët i të gjithë shoqërisë, dhe s’mund të mbeten peng i demagogjisë dhe i premtimeve elektorale.

Sot të dënuarit në burgjet shqiptare do të kenë mundësinë që shërbimet t’i marrin nga punonjës të specializuar dhe profesionistë.

Këtij qëllimi i shërbejnë edhe shtesat që i janë bërë këtij projektligji, duke përcaktuar kriteret e qarta, që duhet të plotësojë personeli, apo stafi i punësur në këto institucione.

Përcaktimi i këtyre kritereve është një detyrim që rrjedh dhe nga rregullat evropiane mbi burgjet,

–          rekomandimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të vitit 2006,

–          si dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës

Me përmbushjen e këtyre kritereve nuk do të lejohet që veterineri dhe sanitarja t’i ofrojnë shërbimin mjekësor të paraburgosurve apo të dënuarve, dhe për këtë ju jap garancitë e mia maksimale.

Tashmë është e qartë dhe e pranueshme se misioni i institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale është rehabilitimi dhe ri-integrimi i të paraburgosurve dhe të dënuarve në shoqëri.

Kjo nënkupton:

Ø  Respektimin e të drejtave bazë të njeriut;

Ø  Krijimin e kushteve të jetesës humane dhe të shëndetshme, sikurse parashikohen nga legjislacioni në fuqi dhe Konventat Ndërkombëtare për personat që vuajnë dënimin penal në institucionet përkatëse;

Ø  Siguri për këtë kategori personash, duke përfshirë

mbrojtjen nga diskriminimi

-ndëshkimi dhe

-abuzimet nga personeli apo të dënuarit e tjerë;

 

Ø  Lirinë e besimit dhe lirinë thelbësore të shprehjes ;

 

Ø  Krijimin e kushteve të favorshme për ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme me familjet e tyre ;

Ø  Mundësi e pjesëmarrjes në aktivitete dhe programe rehabilituese apo ri-integruese

Ø  Zbatimin e politikave dhe procedurave efektive, për hetimin dhe zgjidhjen e ankesave dhe problemeve, përmes sistemit kërkesë-ankese;

Përmirësimi i trajtimit të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimi i dënimit penal në një mundësi për rehabilitim dhe ri-integrim në jetën shoqërore, sikundër nënvizohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian, është objektivi kryesor dhe sfida jonë prioritare.

Ekzekutimi i dënimit me burgim, do të bëhet duke respektuar dinjitetin, liritë dhe të drejtat e të dënuarit, të orientuara nga parimi i humanizmit.

Vlen të theksohet se të dënuarve do t’u sigurohen programe integruese, individuale ose në grup, të cilat do të eleminojnë ndikimet paragjykuese dhe negative të burgimit.

Reformimi i sistemit penitenciar, që krijon progres dhe siguri në trajtimin e të dënuarve, mbetet ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë.

Është koha për t’ju larguar modelit konservator të parandalimit të krimit, nëpërmjet frikës, por duhet që t’i përafrohemi modelit social, përmes parandalimit të krimit duke krijuar komunitete të shëndetshme.

Përpjekjet për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në institucionet e vuajtjes së dënimit, nismat për ri-integrimin e këtyre personave, duhet të jenë një interes i përbashkët i të gjithë shoqërisë dhe s’mund të mbeten peng i demagogjisë dhe i premtimeve elektorale.

Çdo i burgosur ka të drejtë që pas rifitimit të lirisë të jetë i vaksinuar kundër recidivizmit dhe i përgatitur për të qenë i dobishëm në shoqërinë që ai do të jetë pjesë.

Gjatë një fjalimi, të Kryeministrit Britanik David Cameron, ku ndër të tjera adresoheshin edhe disa çështje me rëndësi lidhur me reformën në sistemin penitenciar, u vu theksi tek një model i ri i menaxhimit të burgjeve.

“Burgjet janë projektuar për të dhënë drejtësi për viktimat dhe për të siguruar që të burgosurit të shyejnë dëmet ndaj shoqërisë për krimet e tyre, ndaj lind nevoja që kjo kategori të dalë nga burgu me aftësi dhe perspektiva më të mira se ato që kishin kur ata hynë në burg”.,- vlerësonte zoti Kameron gjatë fjalimit të tij, mjaft aktual edhe në kuadër të inisiativave tona ligjore.

Gjej rastin të inkurajoj të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë si dhe shoqërinë civile, që të jenë krahu ynë i djathtë në nismat tona legjislative, ndaj zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi, në fushën e parandalimit të torturës dhe akteve çnjerëzore në institucionet e privimit të lirisë, si dhe ndaj denoncimit të çdo rasti dhune apo torture në to.

Nuk mund të lë me këtë rast pa përmendur rolin tepër të rëndësishëm që kanë luajtur partnerët dhe donatorët ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kishim sot shumë institucione të reja, me standarde të larta.

Gjithashtu gjej rastin që të falenderoj të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të gjithë grupet e interesit, që kanë kontibuar përmes sugjerimeve të tyre, në rritjen e cilësisë së përmbajtjes së këtij projektligji, për të cilin kërkohet sot vota tuaj.

Unë jap garancitë e mia maksimale për vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me çdo aktor të sistemit të drejtësisë, në drejtim të rritjes së sigurisë, progresit dhe reformimit të të gjitha hallkave të këtij sistemi.