Ngritja e KLGJ, Gjonaj: Duhet të rikthejmë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/12/2018

Ngritja e KLGJ, Gjonaj: Duhet të rikthejmë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë

I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës së Lartë,

Të nderuara zonja gjyqtare dhe zotërinj gjyqtarë,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,

Dje dhe sot, janë ditë vërtet shumë të rëndësishme për sistemin e ri të drejtësisë. Dje, mbledhja e përgjithshme e prokurorëve, zgjodhi, nëpërmjet një procesi shembullor demokracie dhe vetorganizimi, 6 anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sot, është radha juaj! Unë kam besimin e fortë që ashtu si edhe prokurorët, ju do të jeni në gjendje që nëpërmjet procesit të sotëm, të vendosni themelet e shëndosha të sistemit të ri të drejtësisë dhe të rikthejmë, njëherë e përgjithmonë, besimin e publikut në sistemin tonë të drejtësisë.

Gjatë këtyre 4 viteve, ne ndërmorëm rrugën shumë të vështirë të reformimit të sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut në sistem. Së bashku, me kontributin e shumë prej jush, hartuam ndryshimet kushtetuese dhe paketën e akteve ligjore të reformës në drejtësi.

Me gjithë vështirësitë dhe kundërshtitë, sot jemi më pranë se kurrë hapjes së një faqe të re të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e kthyer atë, në një sistem të drejtë, në një sistem të pavarur dhe të paanshëm.

Sot, ju, me mbledhjen tuaj, do t’i jepni jetë një organizmi të ri, që është pikërisht Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Shpresoj fort që të gjithë kemi mësuar shumë nga gabimet e së shkuarës.

Duke reflektuar mbi problematikat dhe mangësitë e vërejtura të deritanishme të KLD-së me ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin e ri të reformës në drejtësi, kemi ndërtuar kuadrin e nevojshëm ligjor që Këshilli i Lartë Gjyqësor të garantojë pavarësinë, atë pavarësi reale të gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve, qëndrueshmërinë dhe promovimin e tyre në karrierë dhe njëherësh të vendosë standardet e duhura në llogaridhënie dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës, në respektim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.

Zbatimi i reformës në drejtësi do të rikthejë vlerat dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohet një sistem drejtësie i pavarur: integritetin, profesionalizmin, meritokracinë, përgjegjshmërinë, duke jetësuar kështu një sistem drejtësie vetëm në shërbim të qytetarëve.

Në cilësinë e ministres së Drejtësisë, në emër të qeverisë, rikonfirmoj edhe një herë vullnetin e saj për të mbështetur, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka, vazhdimin e reformës në drejtësi, tashmë në një stad tjetër.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi punuar që mbështetja logjistike dhe financiare në procesin e jetësimit të reformës në drejtësi të jetë e plotë si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin e trajtimit financiar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Duke filluar nga muaji tjetër, hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimit financiar për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë të paktën dyfishimin e pagave tuaja si dhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare.

Gjithashtu, ju bëj me dije se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka tashmë në dispozicion edhe godinën e re ku do të nisin ushtrimin e funksioneve të tyre. Pikërisht sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të orës 11:00 miratohet vendimi lidhur me godinën e re ku këto dy institucione së bashku me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë do të ushtrojnë funksionin e tyre.

Dëshiroj të falënderoj përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që janë duke ndjekur me shumë përkushtim procesin e ngritjes së këshillave, duke ndihmuar konkretisht përmes misioneve të tyre të asistencës OPDAT dhe EURALIUS për hartimin e rregullave të votimit dhe fletën e votimit për të pasur një proces sa më transparent dhe të përgjegjshëm.

Më lejoni të adresoj një falënderim për kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili ka menaxhuar me shumë seriozitet dhe përkushtim zhvillimin pikërisht të kësaj mbledhje, e cila do t’i japë jetë organit të ri të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Është rasti të formuloj një vlerësim të veçantë për zonjat gjyqtare, pjesë e kësaj trupe, të cilat me vlerat që mbartin, me sakrificat që bëjnë çdo ditë, një pjesë edhe me detyrat që përballojnë si bashkëshorte apo si nëna, dëshmojnë përkushtim dhe angazhim të veçantë në ushtrimin e detyrës.

Në përmbyllje të fjalës sime, më lejoni të shpreh përgëzimet më të mira për kandidatët që konkurrojnë sot për të qenë anëtarë të Këshillit.

Angazhimi dhe vizioni juaj do të ndihmojë në përballjen me sukses të të gjitha sfidave që do të ketë Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Sot është dita që ju të vendosni duke gjykuar mbi platformat e tyre dhe mbi të gjitha mbi vlerat individuale që kandidatët përfaqësojnë, dinjitetin, integritetin dhe profesionalizmin.

I uroj punime të mbara e të suksesshme të kësaj mbledhjeje, duke besuar se me maturinë dhe përgjegjshmërinë e duhur do të mund të realizoni një proces sa më transparent e të përgjegjshëm votimi duke zgjedhur më të mirët si përfaqësuesit tuaj në qeverisjen e ardhshme të gjyqësorit.

Faleminderit!