Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, z. Nasip Naço, nënshkroi ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Europiane të së Drejtës Publike (EPLO).
Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit ishin Presidenti i EPLO, Prof. Spyridon Flogaitis si dhe Ambasadori i Greqië në vendin tonë, z. Leonidas Rokanas.
Organizata Europiane e së Drejtës Publike është themeluar si një organizatë ndërkombëtare.
Qëllimi i Organizatës është krijimi dhe përhapja e njohurive në fushën e së drejtës publike duke përfshirë të drejtën publike kombëtare, krahasuese dhe Europiane, të drejtat e njeriut, të drejtën mjedisore, etj., si edhe promovimin e vlerave europiane me anë të së drejtës publike anembanë botës.
Për shkak të rëndësisë që paraqet dhe fushës që mbulon, aderimi në këtë marrëveshje është shumë i rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë.
Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Naço gjatë ceremonisë:
Rreth 24 orë më parë, ashtu siç e dini të gjithë së bashku përjetuam me gëzim që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Statusi i vendit kandidat eshte një hap shumë i rëndësishëm gjatë rrugës drejt BE-së” dhe tregues i thellimit të reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare për ta kthyer në realitet të prekshëm ëndrrën evropiane.
Thellesisht dhe sinqerisht nga zemra uroj per kete dite te shenuar dhe ju ftoj qe bashkerisht te vazhdojme te ecim drejt vlerave kaq te qenesishme per te gjithe ne drejt Bashkimit Evropian.
Sot, ndihem shumë i privilegjuar që si Ministër i Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, m’u dha plotfuqishmëria nga Këshilli i Ministrave, për nënshkrimin e Marrëveshjes për themelimin dhe statutin e Organizatës Europiane të së Drejtës Publike (EPLO), përkrah vendeve mike si Italia, Greqia, etj.
Kjo marrëvreshje me rëndësi të madhe firmoset brenda Presidencës së radhës së kryesuar nga Greqia dhe gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë në çdo fushë e veçanërisht në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes dhe të përgëzoj drejtuesit e kësaj organizate, të cilët e ftuan Shqipërinë që të jetë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare të njohur:
Duke patur në fokusin e saj mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike në Evropë dhe në të gjithë botën, unë shpreh bindjen time se pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave, që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nëpërmjet kësaj organizate do të krijohen premisa te shkëlqyera për të bashkëpunuar me institucione, organizata dhe organizma të tjerë kudo në botë, në veçanti me organizata në sistemin e Kombeve të Bashkuara, për shkëmbimin e eksperiencave, ideve në ato fusha mbi të cilën kjo organizatë operon.
Ndaj e vlerësoj shumë të rëndësishme promovimin e vlerave të sistemit tonë të drejtësisë, respektimit të të drejtave të individit, dialogut dhe tolerancës.
Duke besuar në vlerat tona por dhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë po përpiqemi që të përmirësojmë imazhin e vendit tonë, duke demonstruar që shteti ynë është i denjë për të zënë vendin e merituar përkrahë vendeve të Bashkimit Evropian.
Duke patur parasysh faktin që integrimi në Bashkimin Evropian është boshti kryesor i politikës sonë të jashtme ne do të bëjmë një përqendrim të përpjekjeve dhe energjive për të dhënë mesazhe të qarta dhe vizionare që me reformat e ndërmarra ne jemi në rrugën e duhur, përkrah vendeve të BE-së.
Aderimi si një pjesë integrale e kësaj organizate, do të mundësojë disa nisma me rëndësi sikurse:
Vlerat e pamohueshme të kësaj organizate janë një vlerë e shtuar për mbarëvajtjen e ecurisë së suksesshme të këtij bashkëpunimi.
Marrëveshja e firmosur sot është rruga ku do të eci sistemi gjyqësor dhe Shqipëria nesër si vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Në përfundim të fjalës time, ju siguroj se unë, personalisht, do të investohem me të gjitha mjetet që më takojnë, për të garantuar se nënshkrimi i sotëm do të jetë një ogur i mirë për nisjen e shumë bashkëpunimve të tjera.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.