Ndryshimet në ligjin“Për ndihmën juridike”, qëllim rritja e transparencës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/06/2014

Ndryshimet në ligjin“Për ndihmën juridike”, qëllim rritja e transparencës

Gjatë seancës së sotme në Komisionin e Ligjeve, Ministri Naço u ndal edhe në rëndësinë e rishikimit të Ligjit nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, i ndryshuar, duke vlerësuar se nevoja e këtyre ndryshimeve vjen si pasojë e problematikave të evidentuara nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike gjatë implementimit të ligjit në praktikë.

 

 

 

Kreu i drejtësisë shqiptare sqaroi se në mënyrë që gjithë gjetjet e praktikës së deritanishme të përmirësoheshin, u përgatit një draft, duke i kushtuar rëndësi fillimisht sqarimit të plotë të termave të parashikuar në ligjin bazë nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën Juridike”, i ndryshuar, duke parashikuar një specifikim të qartë të termave të  tilla si “ndihma juridike”, “mjete të mjaftueshme” dhe “subjekte të përfshirë në programet e mbrojtjes shoqërore”.

 

“Këto përkufizime në ligjin bazë mungonin dhe shpesh herë ishin bërë pengesë në zbatimin në praktikë të vetë ligjit në tërësi. Duke realizuar një harmonizi midis normave ligjore në fuqi,  sqarohet edhe më mirë fakti  se të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, të cilët kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore, qartësohet që kriteri financiar për dhënien e ndihmës juridike dytësore duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e aplikuesit. Për rrjedhojë, është sqaruar më së miri se cfarë do të kuptojmë me termin “Mjete të mjaftueshme”,  që sipas projektligjit janë të ardhurat mujore të kërkuesit, që nuk e kalojnë vlerën e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave”, theksoi Ministri Naço

 

Me qëllim evidentimin dhe më të qartë të personave që legjitimohen për të përfituar ndihmën juridike, projektligji parashikon edhe përkufizimin e termit të “Ndihmës Juridike”, e cila në kuptim të këtij ligji jepet:

  • për shtetasit shqiptarë me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë,
  • shtetasit e huaj të pajisur me leje qëndrimi,
  • për shtetasit e huaj që e përfitojnë atë mbi bazën e parimit të reciprocitetit,
  • si dhe personat pa shtetësi të pajisur me leje qëndrimi.

 

Projektligji është dërguar për mendim dhe është konsultuar me Ministrisë e Integrimit Evropian, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Misionin EURALIUS dhe Misionin OPDAT.