Masat e ndërmarra kundër korrupsionit, ndër vite, nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive, përsa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në kuota të larta.
Përpos ndryshimeve të bëra në vitin 2012, në nenin 52 të Kodit Penal, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, si dhe ndryshimet e nenit 75/a të K.Pr. Penale, lind si domosdoshmëri marrja e masave plotësuese, që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtaria kriminale të korrupsionit.
Në këtë frymë ecin dhe ndryshimet e bëra në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ose i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen:
– për pasuritë e personave;
– për pjesëmarrje në organizata kriminale/ose grupe të strukturuara kriminale;
– pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura;
– shfrytëzimin e prostitucionit në rrethana rënduese
– trafikimin e femrave;
– trafikimin e narkotikëve;
– pastrimin e produkteve të veprave penale
Ashtu siç zbatohen dispozitat e këtij ligji për bandat dhe organizatat kriminale, për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, parashikuar në fushën e veprimit të nenit 3, do të veprohet dhe për veprat penale të korrupsionit, të cilat shtohen si vijon:
• Neni 164/a “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”;
Këtu përfshihen personat që ushtrojnë funksion drejtues në shoqëri tregtare.
• Neni 244 “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
Personat që ushtrojnë funksione në administratën shtetërore, dhe që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ku përfshihen:
• Neni 245 “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”;
• Neni 260, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; ku përfshihen:
a) Presidenti i Republikës si dhe drejtuesit e institucioneve të emëruar prej tij,
b) Kryeministri si dhe personat e emëruar prej tij apo nga Këshilli i Ministrave,
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave,
d) Kryetari i Kuvendit,
e) Deputetët,
f) Drejtuesit e institucioneve të emëruar prej Kuvendit.
g) Kryetarët e Bashkive dhe Komunave
• Neni 319 “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
• Neni 319 Ç/ “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
Kjo dispozite i referohet subjekteve te posaçme si:
a) anëtaret e Gjykatës së Lartë
b) anëtarët e Gjykatës Kushtetuese,
c) gjyqtarët dhe,
d) prokurorët në të gjitha nivelet,
***
Dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen dhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm sikurse janë bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka.
Sipas nenit 6 të këtij ligji, siç zbatohen dispozitat për bandat dhe organizatat kriminale për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë do të zbatohen dhe për veprat penale të korrupsionit dhe janë objekt verifikimi:
-mjetet financiare,
-pasuritë,
-veprimtaritë ekonomike,
-tregtare dhe profesionale,
-niveli ekonomik,
-si dhe burimet e të ardhurave të tyre.
Sidomos kur këta persona janë zotërues:
– të lejeve,
– licencave,
-autorizimeve,
-koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale,
-si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute,
-financime ose kreditime të çdo lloji,
-të dhëna apo të përfituara nga shteti,
-ente a persona juridikë publikë,
-organizma ose institucione ndërkombëtare,
-si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.