Ndryshimet në Kodi i Pr. Penale, Ministri Vasili merr pjesë në tryezën e konsultimit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/02/2017

Ndryshimet në Kodi i Pr. Penale, Ministri Vasili merr pjesë në tryezën e konsultimit

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, mori pjesë sot në tryezën e konsultimit publik mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime ë ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, organizuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Z. Vasili prezantoi ndryshimet e propozuara në këtë ligj nga Ministria e Drejtësisë, duke u ndalur në disa elementë të rëndësishëm të tij.

“Një nga elementët kryesorë që kemi menduar se duhet qëndruar me një zbërthim sa më të thellë, është përkufimi i termit dyshim i arsyeshëm. Arsyetimi për këtë ka qenë shumë i thjeshtë, sa më afër një përkufizimi të qartë pa evazivitete, aq më e vogël mundësia për interpretime evazive në gjykata e më gjerë, ku evaziviteti të jetë baraz me mundësi për korrupsion. Dhe çdo lloj pune e palodhur në këtë pikë për të çuar drejt një definicioni sa më preçiz, do të ishte një kontribut i vyer drejt asaj që qytetarët duan”, u shpreh ministri Vasili.

Propozim tjetër, theksoi Ministri i Drejtësisë, është garantimi i përdorimit të mjeteve audiovizive në Kodin e Procedurës Civile.

Ministria e Drejtësisë ka propozuar ndryshime në Kod, ku dhe USAID e mbështet këtë, me përfshirjen e tyre edhe në Kodin e Procedurës Penale, gjë që ndihmon shumë në këto procese.

“Sanksionimi i qartë në ligj i parimit që masat shtrënguese të jenë të kombinuara, por gjithmonë duke u orientuar nga hierarkia e tyre, pra masat ekstremisht shtrënguese, të jenë të përcaktuara në ligj për t’u aplikuar vetëm kur rrethanat e kërkojnë. Shpërdorimi i këtyre masave shtrënguese përveçse krijon zemërim të panevojshëm nuk i sjell asnjë të mirë procesit, përkundrazi përdorimi pa vend dhe revokimi i tyre më pas, ka sjellë pakënaqësi dhe sigurisht dyshime që këtu ka abuzivizëm”, nënvizoi z. Vasili.

Ministri i Drejtësisë nënvizoi se është një parim i bashkëndarë jo vetëm me kolegët në Komision, por dhe të tjerë, rishikimi i rasteve ku mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, duke insistuar fort  që të jenë shumë të qarta në Kod, përqëdrimi i rolit të kësaj gjykate në unifikimin e praktikës gjyqësore, në përputhje me ndryshimet për reformën në drejtësi.

“Ky është një kontribut i vyer etik ndaj qytetarëve, por dhe për rritjen e standardeve të gjykimit, pasi një model i konsoliduar është shumë më mirë se mijëra fjalë të thëna apo teori të konsumuara. Ky është propozim që bashkëndahet, ka shumë kolegë të një mendje me ne, unë e sjell dhe i jap një emfazë të re, për t’a rimarrë. Është momenti për t’a preçizuar, për t’a bërë orientim të qartë, prioritar por dhe e vizionar. Kjo do të sillte ndryshime të mëdha në mënyrën sesi administrohet dhënia e drejtësisë penale në gjykata”, tha Ministri Vasili

Z. Vasili vuri theksin tek një element tjetër, roli i çështjes së provave në procesin penal, në mënyrë të veçantë sa i takon anonimatit në dëshmi.

“Element tjetër i rëndësishëm, roli i çështjes së provave në procesin penal dhe në mënyrë të veçantë sa i takon anonimatit në dëshmi, thënë më thjesht dëshmitarit anonim, të cilët nuk identifikohen sa i takon publikut, por që sigurisht janë të identifikuar për ata që merren me procesin e hetimit. Është për t’u preçizuar qartë kur ky dëshmitar nuk përdoret si provë direkte dhe kur kur përdoret apo do të jetë si një provë për të evindetuar e që ndihmon në zbardhjen e të vërtetës. Dëshmia anonime mund të jetë një nga provat që ndihmon në kërkimin e provave të reja, por në asnjë rast nuk mund të jetë provë vendimtare, thelbësore dhe aq më keq të mbivlerësohet. Duhet të jetë një provë që ndihmon në kërkimin e provave të reja për formësimin e provave direkte për një arsye shumë të thjeshtë; provat e papërcaktuara, të paqarta me elementë të supozimit brenda, kanë qenë ato që kanë mundësuar në dhjetra raste, apo qindra dhe dënimet e gjykatave janë dukur krejtësisht të padrejta. Përdorimi në kuptimin më të mirë i kësaj mundësie për të formësuar të tilla prova të pakundërshtueshme sigurisht do të shëndoshin rrënjësisht procesin penal dhe do të evitonin të gjithë debatet pa fund lidhur me vendimet që vijnë më pas, pasi do të ishin përballë të vërtetave të pakundërshtueshme.  Ne mbështesim plotësisht në draftin e paraqitur anonimatin e dëshmitarit dhe garantimin, mbrojtjen e tij; në mënyrë të veçantë kur ka të bëjë edhe me jetën e shëndetin, si një rrezik real objektiv, por duhen garantuar dhe masa të tjera që dëshmitari anonin të mos keqpërdoret. Anonimiteti është një element, i cili, i papreçizuar qartë e padefinuar mire, mund të shndërrohet në mjet abuziviteti dhe kjo do të ishte rrënuese për të gjithë atë transformim rrënjësor që sistemi i drejtësisë do të bëjë falë ndryshimeve të mëdha që janë miratuar tashmë”,tha ministri i Drejtësisë.

Z. Vasili shtoi se element tjetër i propozuar është dhe organizimi i Policisë Gjyqësore si drejtori më vete, me shtrirje në çdo komisariat, çka sipas tij, pasja e strukturave që merren me këtë çështje krijon dy momente të reja.

“Policia Gjyqësore duhet të jetë e organizuar si drejtori më vete dhe që ka shtrirjen e saj në çdo komisariat, që zbaton qartësisht urdhërat e prokurorëve. Përqëndrimi tërësor tek ky moment është shumë delikat, pasi roli i Policisë Gjyqësore është rol kyç në hetimin dhe procesin penal. Përqëndrimi i tyre, komukimi i drejtpërdrejtë, varësia e qartë dhe mospërqëndrimi në detyra të tjera na rrisin dukshëm kualitetin e hetimit. Çdo gjë që na cënon kualitetin e hetimit nuk na bën të ecim përpara, por të bëjmë pas. Ideja që kemi është që Policia Gjyqësore, krahas kësaj çështje, të mos bëjë dhe shërbimin natën apo punë të tjera rutinë të policisë. Kështu, që i parë me konstruktivitet, ky është një propozim që rrit kualitetin e punës dhe nuk kemi pse të trembemi nga pasojat ekonomike”, theksoi Ministri Vasili

Tjetër propozim ku Ministri Vasili u ndal ishte dhe çështja e përgjimeve, duke e konsideruar atë si mjaft delikate.

“Çështja e përgjimeve dhe limitet e realizimit të saj do të mbetet gjithmonë një çështje shumë delikate. Përgjimi, i marrë nga jeta personale e personave në mënyrë të veçantë pa dijeninë e tyre, është një moment delikat, ku vendimi për t’a kryer këtë gjë duhet të jetë i orientuar nga arsye madhore dhe mendimi ynë i qartë dhe pa ekuivok është që vendimi i gjykatës për përgjimin në audiencë private duhet të jetë prerogativ e padiskutueshme. Shtrembërimi i kësaj të drejte dhe abuzimi me të do të ishte një tronditje e madhe në themelet e shtetit demokratik, të krijuar pas viteve ’90, ku realiteti apo psikoza, që të gjithë përgjonin të gjithë të mos stabilizohet në Shqipëri dhe të mos përjetohen ato frikëra”, tha Ministri Vasili

Ndër të tjera Ministri Vasili u ndal edhe në moslejimin e të drejtës së ankimimit ndaj vendimit të përgjimit.

Besoj që jemi në një shtet të së drejtës dhe një nga gjërat themelore që ne kemi, themel i ekzistenës në çështjet e drejtësisë është e drejta e ankimit. Vendim absulisht të drejtë në botë nuk ka, por edhe e drejta e ankimit është e drejtë absolute. A është e drejta e ankimimit e shenjtë? Jo, por është një mundësi për t’u përballur me një padrejtësi të supozuar. Heqja e ketij instrumenti do të thotë rrëshkitje në njëanshmëri dhe këtu të drejtat e njeriut janë thellësisht të cënuara dhe secili nga ne duke hequr kostumin e politikanit apo deputetit dhe për t’u trasformuar në qytetare, nëse ne do të dallonim abuzim, tejkalim dhe nuk do të na lejohej e drejta e ankimit do të ishim përballë një problemi shumë të madh dhe para një vështirësie parimore”, vlerësoi z. Vasili

Z. Vasili theksoi se Ministria e Drejtësisë propozon që instrumenti i ankimit të rivendoset duke argumentuar se përgjimi në jetën private dhe ambjetet private është shumë delikat dhe lind nevoja e ndërhyrjes vetëm kur kjo vendoset nga gjykata për vepra penale të rënda që rrëzikojnë sigurinë kombëtare dhe sociale.

“Imagjinoni se çdo të thotë abuzimi me vendosjen e përgjimit në shtëpi, tavolinën e bukës, krevatin e gjumit, banjës dhe kjo për një sekondë të mos jetë e bazuar mirë, të jetë abusive. Mendoni të mos kesh të drejtën e ankimimit, të mos ketë vendimin e Gjykatës, të mos ketë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Kjo do të cënonte principet demokratike të shëndosha që janë sanksionuar në Kushtetutë por dhe propozimet e reja kushtetuese që kemi bërë. Ndaj unë do t’a kërkoja si ministër i Drejtësisë, por dhe si qytetar, që këtu të jemi të kujdeshëm”, u shpreh z. Vasili

Duke u ndalur në sugjerimin e fundit të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, z. Vasili solli në vëmendje dhe rastet e përgjimit me autorizim prokurori, që, sipas propozimeve, duhen minimizuar.