Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për hartimin e një Kodi Penal të ri për Shqipërinë.
Kodi Penal është miratuar në janar 1995, pothuajse 28 vite më parë. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa sot ka mbi 600. Vit pas viti, Kodi i është nënshtruar mbi 30 herë amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.
Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në Kod është konstatuar ndjeshëm një mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht përsa i përket llojeve dhe masave të dënimeve penale për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj.
Dinamikat e reja sociale dhe ekonomike diktojnë në mënyrë të pashmangshme nisjen e një diskutimi të qenësishëm lidhur me depenalizimin e disa sjelljeve në shoqëri, si edhe kriminalizimin e disa të tjerave, sidomos nën dritën e intensifikimit të zhvillimeve teknologjike. Faktorët e rinj kriminogjenë kërkojnë një përgjigje efektive që garantohet vetëm përmes një legjislacioni penal që i përgjigjet sfidave të kohës.
Hartimi i një Kodi Penal të ri lind si domosdoshmëri me qëllim përshtatjen e tij me të gjithë aktet ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar ndër vite, standardet e të cilave kërkohet të reflektohen në legjislacionin penal. Shqipëria ka nisur tashmë një rrugëtim pa kthim drejt anëtarësimit në BE, e në këtë kontekst, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përqasjes së legjislacionit penal me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ka lindur nevoja që ky legjislacion të reflektojë edhe standardet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë, me qëllim përfshirjen në Kod të zgjidhjeve të dhëna nga praktika gjyqësore.
Për shkak të rëndësisë dhe kompleksitetit që kjo nisëm paraqet, Ministria e Drejtësisë synon të bëjë sa më gjithëpërfshirës hartimin e këtij dokumenti, për të dëgjuar çdo profesionist të së drejtës që dëshiron të kontribuojë në një nga nismat ligjore më të rëndësishme të viteve të fundit.
Për garantimin e pjesëmarrjes të sa më shumë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në këtë proces kaq të rëndësishëm, në këtë seksion do të publikohen draftet e përgatitura nga Grupi i Punës i ngritur me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë, me qëllim tërheqjen e mendimeve në fazën që i paraprin konsultimit publik sipas legjislacionit në fuqi.
Kodi Penal (Pjesa e Përgjithshme) – Draft paraprak
Criminal Code (General Part) Preliminary draft
THIRRJE PËR DORËZIMIN E PUNIMEVE KËRKIMORE PËR KODIN E RI PENAL
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.