Një lajm i hidhur për drejtësinë shqiptare, pasi u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare z.Kristaq Traja, ish-gjyqtar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në vitet 1998-2008.
Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të shtrenjtë.
Kristaq Traja punoi plot përkushtim si ekspert për reformën e Drejtësisë pas një përvoje domethënëse dhe të shkëlqyer në jurisprudencë.
Z.Traja u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në 1978 dhe ishte ndër akademikët më të njohur në Ballkan për të Drejtën Kushtetuese.
Karrierën e filloi në 1986 si Specialist në Sektorin e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme deri në 1991.
Ai ka qenë anëtar i Bordit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë 1991-1992 dhe Zëvendësministër i Drejtësisë 1992-1993.
Z.Traja ka qenë gjithashtu anëtar i grupit të hartimit të Kushtetutës së vitit 1998.
Prej vitit 1994 ai është pedagog i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës.
Gjatë periudhës 2012-2014 Kristaq Traja ishte Rektor i Universitetit “Luarasi”.
Z.Traja nga 2008 ushtroi profesionin e avokatit në disa studio ligjore në vend dhe ishte autor i shumë publikimeve dhe përkthimeve në fushën e ligjit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.