Ndërmjetësimi, Ministri Manjani: Të interesuar ta nxisim si një terapi antikorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/07/2016

Ndërmjetësimi, Ministri Manjani: Të interesuar ta nxisim si një terapi antikorrupsion

Nën moton “Bëhu Paraprijës – Zgjidh Ndërmjetësimin”, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit ka organizuar në Ministrinë e Drejtësisë një takim në kuadër të Ditës Kombëtare të këtij shërbimi.

I ftuar në këtë takim, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani theksoi se zgjidhja e konflikteve me mjete alternative është një proces mjaft efikas, ndërsa vlerësoi se do të ishte me mjaft interes nxitja e ndërmjetësimit edhe si një terapi antikorrupsion.

Më poshtë mesazhi i plotë i Ministrit Manjani në këtë aktivitet:

“Që nga viti 2011 e deri më tani rreth 5000 familje shqiptare kanë larguar stresin e tyre nga procedurat gjyqësore, duke përdorur procedurën e ndërmjetësimit. Janë rrëth 2500 raste të suksesshme të zgjidhura nëpërmjet jush, që nuk janë pak, por do të donim të ishin më shumë. Këtë dëshirë për shërbim alternativ nuk e kemi kot por sepse besojmë se ka shumë hapësira për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me pajtim, me mirëkutim dhe që nganjëherë është shumë më efikase se sa cilido vendim gjyqësor, që për nga natyra ka në vetvete ftohtësinë e ligjit. Kjo është arsyeja që në shumë raste ne shfaqim reagime emocionale në fazën e ekzekutimit të vedimeve gjyqësore, ndërsa kur vjen puna për të respektuar vendimin e ndërmjetësit ankesat thuajse janë zero.

Paraardhësit e mi kanë bërë mirë që e kanë mbështetur këtë procedurë dhe unë sigurisht do të përpiqem të vijoj në mbështetjen e saj. Shërbimi gjyqësor ka shumë vështirësi përveç pjesës së besueshmërisë ose jo, e cila është një temë e njohur, por ka vështirësi në kuptimin organizativ dhe të ngarkesës që gjyqtarët kanë sot. Gjykata e Lartë është ndër më të mbingarkuarat e Europës, por kam përshtypjen edhe të rruzullut tokësor dhe nëse bëjmë veprimet e thjeshta matematikore do të shikojmë se ngarkesa në punë e gjyqtarit është tej normës.

Kështu që zgjidhja e konflikteve me mjete alternative nëpërmjet ndërmjetësimit si më i përdorshmi, ndonëse do të donim të kishim edhe arbitrazh, është një mjet shumë efikas. 2550 çështje me 5000 pale bësoj se janë diçka, ndonëse mirë do të ishte të kishte më shumë.

Sa më takon si Ministër i Drejtësisë jam gati të mbështes me gjithçka duhet që ky shërbim të rritet edhe më shumë. Përmes një nisme ligjvënëse do të kërkoj ta rregullojmë akoma më mirë këtë gjë, që edhe në shërbimet e policimit brenda komisariateve, ku konstatohen denoncime të kësaj natyre, të mund të kemi mundësinë që shërbimi i ndërmjetësimit të ketë akses, ku vetë personat të kenë mundësinë të kërkojnë zgjidhje të kësaj natyre. Sepse një konflikt i vogël i zgjidhur shpejt me ndërmjetësim, jam i sigurt se është shumë më mirë se sa nje denoncim në rrugë rutinë, ku shpesh për shkak të ngarkesës nëpunësit publik, qoftë policia apo edhe prokuroria, më tej edhe gjykatat ose e nënvlerësojnë ose nuk e marrin me seriozitetin e duhur, ose kur e marrin është shumë vonë.

Kam edhe një mesazh që dua ta ndaj me ju. Kanë filluar vijnë dhe komentet e para dhe po i quaj të tilla sepse nuk dua ende t’i quaj vërejtje, lidhur me zvarritjen ose tej zgjatjen në afatet e zgjidhjes së çështjes tek ndërmjetësi. Kjo është çështja pse gjyqatrët sot nuk besohen, jo të gjithë janë të korruptuar, por tendenca është që po u zbarrit çështja, mendja të shkon që bëhet për arsye korrupsioni. Kjo është ajo që vuan sistemi gjyqësor dhe mos ja lejoni vetes të vuani të njëjtën pasojë. Ne jemi të interesuar ta nxisim ndërmjetësimin edhe si terapi antikorrupsion. Sepse ju jeni gjykatësit që ju zgjedhin vetë palët, pra është vullneti i palëve që ju të zgjidhni problemin, por mos lejoni që qoftë edhe njëra nga palët të dali në konkluzionin që po e shtyni procesin sepse pala tjetër ka dhënë lekë. Këtë ma merrni si këshillë që të mos jetë shumë vonë kur të përhapet si fenomen, sepse kanë filluar shënjat e para. Jetojmë në një vend ku perceptimi është shumë prezent, për të mirë ose të keqe, me të drejtë ose jo. Ne kemi nevojë që këtë shërbim ta ofrojmë shpejt, profesionalisht korrekt, në të gjithë territorin dhe ta nxjerrim ndërmjetësuesin në pozita më aktive, pra në kërkim të konfliktit dhe jo thjesht të presi konfliktin. Kjo ka qenë edhe arsyeja që në Klinikën Ligjore kemi futur shërbimin e ndërmjetësimit, për ta vënë në pozita aktive.

Do të shpresoja që sot një vit me profesionalizmin tuaj, të kishim edhe më shumë çëshjte të zgjidhura me pajtim.