Ministrja Gjonaj vizitë në institucionet e varësisë, qarku Fier - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/01/2018

Ministrja Gjonaj vizitë në institucionet e varësisë, qarku Fier

 

 

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj në kuadër të takimeve me bazë qarku dhe platformës së  bashkëqeverisjes me qytetarët e zakonshëm, zhvilloi vizita pune në institucionet e varësisë, qarku Fier. Në shoqërinë e drejtuesve të pushtetit vendor, deputetëve të zonës si dhe drejtuesve kryesorë të institucioneve, Ministrja Gjonaj takoi nga afër qytetarët, punonjësit si dhe drejtuesit e ZVRPP-ve, ALUIZNI-t, Përmbarimit Shtetëror, Shërbimit të Provës dhe IEVP-ve në Lushnje dhe Fier.
Në këto institucione Ministrja e Drejtësisë pasi u njohë nga afër me problematikat kryesore të secilës prej zyrave vuri theksin tek prioriteti i qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë për ofrimin e shërbimit ndaj qytetarit brenda afatit të caktuar kohor jo me shumë e 10 ditë nga paraqitja e ankesës. Për të ndryshuar mentalitetin e deritanishëm të funksionimit të këtyre institucioneve në kuadër të shërbimeve ndaj qytetarit, Ministrja e Drejtësisë tha se nuk do të tolerohet asnjë rast shkelje ligjore, abuzimi me detyrën apo marrje rryshfeti, duke shprehur qartë se do të merren masa disiplinore deri në largime nga puna dhe procedime për ndjekje administrative apo penale për cilindo punonjës apo drejtues.
Gjatë takimit me qytetarët në qytetin e Fierit, në kuadër të programit të bashkëqeverisjes, Ministrja prezantoi prioritetet e qeverisë shqiptare në Reformën në Drejtësi, si dhe foli rreth pritshmërisë së lartë që ka qeveria shqiptare, qytetarët e vendit tonë si dhe  ndërkombëtarët lidhur me këtë proces, kyç për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Ministrja nënvizoi vëmendjen që qeveria shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë i kushtoi zgjedhjes së drejtuesve të rinj në krye të ALUIZNI-t dhe ZVRPP-ve. Me fokus përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë me qëllim rritjen e profesionalizmit, Gjonaj tha se përmes një procesi transparent dhe meritokratik, në krye të këtyre zyrave janë vendosur njerëz me integritet të lartë dhe që kaluan me sukses procesin e Vettingut.
Ministrja Gjonaj iu bëri thirrje qytetarëve për të drejtuar ankesat e tyre në platformën shqiperiaqeduam.al, si mënyra e duhur që ankesa të mbërrijë direkt te ministri, i cili ka ngritur një mekanizëm me qëllim trajtimin e tyre me seriozitet brenda afatit 10 ditor.
Në përgjigje të ankesave drejtuar nga qytetarët, në platformën e bashkëqeverisjes lidhur me trajtimin e pronave, Ministrja Gjonaj u shpreh se po punohet për të integruar tre shërbimet, ALUIZN, ZRPP, ATP në një agjenci të vetme me qëllim dhënien fund sorrollatjeve të qytetarëve nëpër dyert e institucioneve.
Gjithashtu Ministrja Gjonaj u ndal gjatë fjalës së saj edhe tek reformat që do të prekin institucionet e tjera që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe profesionet e lira si Noteria, Përmbarimi apo Avokatia.
Gjatë takimeve në qark, Ministrja e Drejtësisë, vizitoi edhe Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në Kosovë të Lushnjës dhe në Fier. Gjatë vizitës në këto Institucioneve znj. Gjonaj inspektoi nga afër kushtet dhe pati takime me të dënuarit të cilët e njohën me shqetësimet dhe problematikat që hasin në burgje. Për drejtuesit e rinj u lanë detyra, që ata duhet t’i përmbushin gjatë periudhës tre mujore të provës, detyra që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problematikave, trajtimin e të dënuarve dhe sigurinë në burgje.