Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Posaçëm dhe Koordinatorin Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, z. Nathan A. Sales.
Forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, si parakusht për garantimin e paqes dhe sigurisë globale, ka qenë tema kryesore e diskutimit.
Ministrja Gjonaj e ka siguruar ambasadorin Sales për vullnetin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për të qenë pjesë e aleancës progresiste kundër çdo forme të ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit. Ajo ka folur për masat e marra veçanërisht në kuadër të shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit me partnerët strategjikë, duke rritur kështu efektivitetin e masave për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit.
Ministrja Gjonaj ka vlerësuar se ka një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë midis Ministrisë së Drejtësisë, Koordinatorit Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Ministrisë së Brendshme,
Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, duke ndjekur një strategji të mirëfilltë, me një plan veprimi të miratuar kundër ekstremizmit të dhunshëm. Sipas saj, bëhet fjalë për masa të mirëfillta në koordinim dhe jo të fragmentarizuara për realizimin e kësaj strategjie.
Ministrja Gjonaj është ndalur gjerësisht në reformën e thellë që është ndërmarrë në sistemin e penitenciar, duke e njohur zyrtarin e lartë amerikan kryesisht me masat specifike për mbajtjen nën mbikëqyrje të personave të dënuar për vepra penale që lidhen me ekstremizmin dhe terrorizmin.
Në këtë kontekst Ministrja e Drejtësisë ka folur edhe për vendimin më të fundit të Qeverisë, për të aplikuar një regjim special në burgje, që do të rrisë në një nivel më të lartë sigurinë e brendshme në burgje dhe mbajtjen nën kontroll të personave të paraburgosur apo dënuar për veprat penale qe lidhen me krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Zoti Sales ka vlerësuar Shqipërinë si një vend lider në rajon për sa i përket kontributit të dhënë në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe ka theksuar se Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.