Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, priti gjatë ditës së sotme në një takim z. Knut Fleckenstein, Raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian.
Në fokus të takimit ishte zbatimi i reformës në drejtësi. Ministrja falënderoi z. Fleckenstein për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Bashkimit Evropian për miratimin me sukses të reformës në drejtësi dhe i shprehu atij vendosmërinë e qeverisë për të çuar deri në fund zbatimin e reformës si faktor kyç për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Si sinjal pozitiv në këtë drejtim, ministrja Gjonaj përmendi vendimin e miratuar në mbledhjen e parë të qeverisë, për kalimin në përdorim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve të mjediseve të ish Lidhjes së Shkrimtarëve, i cili do të pasohet së shpejti nga vendimi për sigurimin e zyrave të Kolegjit të Apelimit. Zbatimi i reformës do të vijojë me të gjithë mbështetjen e nevojshme në aspektin financiar dhe të infrastrukturës si dhe me hartimin e të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e plotë të paketës ligjore. Ministrja theksoi gjithashtu se pranë ministrisë do të ngrihet një mekanizëm monitorimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, i miratuar me asistencën e Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, z. Fleckenstein konfirmoi mbështetjen e tij dhe të z. Kukan, si përfaqësues të Parlamentit Evropian, në përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi dhe shprehu bindjen se hapja e negociatave do të përshpejtonte edhe më tej këtë proces.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.