Në kuadër të marrëveshjes për fuqizimin e bashkëpunimit operacional ndërmjet Shqipërisë dhe EUROJUST-it, për luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pritur përfaqësuesin e EUROJUST Xhavier Tracol, i cili gjithashtu është ekspert për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjatë takimit, Tracol ka vlerësuar punën e bërë nga ministrja Gjonaj mbi çështjet kryesore të parashikuara në marrëveshje, duke theksuar rëndësinë që ka implementimi i saj pa vonesa me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjonaj ka përcjellë disa nga detajet e këtij takimi ku ndër të tjera shkruan:
“Bashkëpunimi produktiv me EUROJUST, po bën të mundur që ne të fuqizojmë plan-veprimin për luftën e përbashkët kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Pas një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes me këtë institucion kyç të Bashkimit Europian, pata kënaqësi që të pres përfaqësuesin e EUROJUST z.Xavier Tracol, i cili inspektoi me kujdes të gjithë fushën e zbatimit të masave të marra. Gjatë takimit finalizues, pata mundësi që t’i përcjell në mënyrë të detajuar të gjithë përpjekjen tonë për plotësimin e akteve ligjore, nënligjore dhe kushteve teknike, në përputhje me standardet e EUROJUST, Konventës Europiane si dhe legjislacionit të brendshëm. Padyshim, bashkëpunimi me EUROJUST është një hap më shumë në rrugën tonë drejt forcimit të shtetit ligjor”, shkruan Gjonaj.
Gjatë këtij takimi me karakter teknik, palët diskutuan mbi masat e marra nga pala shqiptare me qëllim plotësimin e standardeve të parashikuara për mbrojtjen e të dhënave personale në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave Personale si parakusht për zbatimin e marrëveshjes me EUROJUST.
Në vijim, Tracol zhvilloi edhe një takim me grupin e punës i cili përbëhej nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.
Vitin e shkuar, ministrja Gjonaj, nënshkroi në Tiranë një marrëveshje me Presidentin e Eurojust-it, Njësia e Bashkëpunimit Gjyqësor e Bashkimit Evropian, z. Ladislav Hamran, për të fuqizuar më tej bashkëpunimin operacional dhe strategjik gjyqësor.
EUROJUST është institucioni i formuar nga Këshilli i Europës, ku i është besuar kryesisht forcimi i luftës kundër krimeve të rënda përmes bashkëpunimit më të ngushtë brenda BE-së në fushën e zbatimit të ligjit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.