Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Qeveria shqiptare, me mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj për mbështetjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Në mbledhjen e parë, qeveria mori vendimin për vënien në dispozicion të mjediseve të punës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Sot, qeveria shqiptare bëri një hap tjetër të rëndësishëm. Miratoi vendimin për vënien në dispozicion të ambienteve për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke mundësuar kështu ofrimin e kushteve logjistike dhe infrastrukturore të nevojshme për funksionim e tij.
Me këto dy vendime, qeveria shqiptare jep mbështetjen e plotë infrastrukturore dhe logjistike për organet e vettingut.
Njëkohësisht, qeveria shqiptare është angazhuar dhe shprehur e gatshme për mbështetjen e strukturave dhe mbështetjen financiare për pagat e stafit të organeve të vettingut, vendim i cili po diskutohet edhe në Komisionin e Ligjeve dhe që do të miratohet shumë shpejt nga Kuvendi i Shqipërisë.
Me përfundimin e këtij procesi, organet e vettingut janë gati për të filluar procesin e vettingut të subjekteve të rivlerësimit.
Gjej rastin, që në emër të qeverisë shqiptare të shprehim angazhimin e plotë të qeverisë për mbështetjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi në respekt të parashikimeve kushtetuese dhe ligjore.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.