Ministrja gjermane e Drejtësisë vlerëson reformat e Qeverisë Shqiptare - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/06/2018

Ministrja gjermane e Drejtësisë vlerëson reformat e Qeverisë Shqiptare

 

Në vijim të vizitës zyrtare në Gjermani, ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj u prit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve nga ministrja Katarina Barley.

Ministrja Barley pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit shqiptar shprehu kënaqësinë nga ana e saj që edhe pse kishte vetëm tre muaj e emëruar në këtë detyrë po takohej për herë të dytë me Ministren Gjonaj.

Ministrja Gjonaj i prezantoi homologes së saj ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi, si një angazhim i marrë, pikësëpari ndaj qytetarëve shqiptarë dhe më pas si përmbushje e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të hapjes së negociatave dhe veçanërisht në përmbushje të detyrimeve të parashikuara në Kapitullin 23 dhe 24 të Acquis communautaire. Gjithashtu, Ministrja Gjonaj vlerësoi asistencën teknike që Gjermania ka ofruar në reformimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor nëpërmjet Fondacionit Gjerman për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare (IRZ).

Lufta kundër korrupsionit veçanërisht atij në nivele të larta, ishte një nga çështjet që u diskutuan nga të dy ministrat. Në rolin e saj si Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit Ministrja e Drejtësisë, znj. Gjonaj u ndal në masat që ka ndërmarrë qeveria Shqiptare për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, ajo i bëri me dije që Këshilli i Ministrave ka ngritur një Task Forcë të posaçme kundër korrupsionit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme që kryejnë inspektime administrative, veçanërisht në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, si dhe në ato që kanë një rrezik të lartë për t’u ndikuar nga veprimet korruptive, me përgjegjësinë për të kryer inspektime, si dhe për të referuar në Prokurori çdo rast të dyshuar korrupsioni apo shpërdorimi të detyrës.

Reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, si dhe masat e tjera ligjore të marra për të forcuar luftën kundër korrupsionit kanë sjellë rezultate konkrete, si fillimi i ndjekjeve penale dhe dënimi i zyrtarëve të lartë publikë, pjesë e sistemit gjyqësor, e Ekzekutivit, Pushtetit Vendor dhe atij ligjvënës.

Ministrja i bëri me dije znj. Barley që hapja e negociatave ndihmon në thellimin e reformave shtetformuese që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, tërheqjen e investimeve të huaja dhe rrjedhimisht, rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Ministrja Federale e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve vlerësoi shumë reformat që ka ndërmarrë Shqipëria veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit, u shpreh ajo, është një betejë e përhershme dhe nuk është e fituar plotësisht as në Gjermani, por e rëndësishme është që shtetet të dinë t’i përgjigjen me masa të përshtatshme. Përpjekjet antikorrupsion që bën Shqipëria janë akoma më të vështira për shkak të praktikave të vendosura në vite. Megjithatë, përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në këto fusha, sipas saj, kanë pasur rezultate mbresëlënësë, veçanërisht e krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit.

Ministrja Barley e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me vazhdimin e reformave që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit të drejtësisë si dhe luftën kundër korrupsionit.

Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtuesi i Projektit të Binjakëzimit Kundër Korrupsionit, z. Detlef Kreutzer, i cili e njohu ministren gjermane sipas vlerësimit të tij me përpjekjet e Qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin. Sipas tij, Qeveria ka kryer hapa të rëndësishme përpara veçanërisht në forcimin e kapaciteteve administrative përgjegjëse për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Z. Kreutzer vuri në dukje rëndësinë e krijimit të Komitetit Koordinator Ministror,  si organ koordinues i zbatimit të Strategjisë kundër Korrupsionit dhe Planit të saj të Veprimit, si shprehje e qartë e vullnetit të Qeverisë shqiptare në këtë përpjekje, duke vlerësuar rolin e Ministrit të Drejtësisë në vëmendjen e veçantë që i është kushtuar përfshirjes në aksionet kundër korrupsionit të sa më shumë aktorëve, përfshi këtu shoqërinë civile, përfaqësuesit e biznesit dhe komunitetin ndërkombëtar.

Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Brendshëm z. Llamallari, i cili u prezantoi të pranishmëve bashkëpunimin e suksesshëm që autoritetet policore shqiptare kanë pasur me autoritetet gjermane, si dhe ndihmën teknike të ofruar veçanërisht në mbështetjen e Task Forcës kundër krimit të organizuar “Forca e Ligjit”, si dhe në përfundimin e disa operacioneve të suksesshme në luftën kundër grupeve kriminale të lëvizshme të specializuar në kryerjen e vjedhjeve në banesa në vendet e BE-së.

Pala gjermane në këtë takim përfaqësohej edhe nga z. Christian Lange, Sekretar i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, i cili shprehu përgëzimet e tij për arritjet e shumta që Shqipëria ka pasur në këtë periudhë.

Në përgjigje të interesit të z. Lange mbi masat e tjera të ndërmarra nga Shqipëria për luftën kundër korrupsionit Ministrja Gjonaj e njohu Ministren Federale të Drejtësisë si dhe të pranishmit e tjerë, me reformën në shërbimet publike, dixhitalizimin dhe procesin e derregullimit, si mjete të përshtatshme që garantojnë rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike dhe uljen e ndjeshme të rasteve korruptive në shërbimet publike.

Në delegacionin shqiptar ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme z. Adnan Xholi, i cili i njohu të pranishmit me rezultatet e deri tanishme në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, duke e ilustruar rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit me numrin e përgjithshëm të rasteve të dënimeve të zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të tjerë publikë.

Në përfundim të këtij takimit, dy Ministret ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në reformat e ndërmarra, si në atë të Reformës në Drejtësi, veçanërisht në fushën e reformës penitenciare. Për këtë qëllim, në parim u ra dakord që ndërmjet dy Ministrive do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi, në të cilin do të konkretizohen asistenca dhe mbështetja që Ministria Federale e Drejtësisë do t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri.