Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj priti sot homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, z. Bojan Maricikj.
Të dy ministrat biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin gjyqësor si dhe marrëveshjet aktuale të zbatueshme.
Gjithashtu ministrat shkëmbyen pikëpamjet për ecjen bashkarisht në rrugën e eurointegrimit.
Fillimisht ministrat parashtruan ecurinë e reformave dhe shkëmbyen informacionin për funksionimin e institucioneve.
Temë thelbësore në bisedime ishte përpjekja për forcimin e shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe qarkullimit të parave të paligjshme.
Gjithashtu ministrat u përqendruan në sfidat e ngjashme që hasin të dy vendet në zëvendësimin e kulturës së pandëshkueshmërisë me kulturën e integritetit, si dhe perspektivën për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Të dy qeveritë sikurse theksuan ministrat, kanë në fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit transnacional, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik si dhe angazhimet e ndërmarra në nivel rajonal e të përcaktuara në Takimin e Nivelit të Lartë të Ohrit të datës 25 qershor, ku u miratua nga institucionet respektive Udhëzuesi Rajonal mbi Antikorrupsionin dhe Flukset e Paligjshme të Parave.
Në kuadrin e integrimit evropian ministrat u pajtuan për shkëmbimin e përvojave duke ecur njëherazi me harmonizimin e legjislacionit në kapitujt 23-24 të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e ndërsjellë në plotësimin e kritereve politike për hapjen e negociatave.
Ministri Maricikj ftoi zonjën Gjonaj për një vizitë zyrtare në Shkup.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.