Ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kryer sot një inspektim blic në burgun e Fushë-Krujës. Në fokus të inspektimit kanë qenë masat parandaluese anticovid, verifikimi në terren dhe përmirësimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar, si edhe mbështetja e punonjësve të policisë së burgjeve dhe stafit civil.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kreu një kontroll personal pa lajmërim paraprak për protokollet e sigurisë në IEVP gjatë të cilit bashkëbisedoi jo vetëm me të gjithë ekipin e sigurisë në IEVP Fushë-Krujë, por edhe me të dënuar.
Së bashku me drejtorin e burgut dhe shefin e sigurisë, Ministrja Gjonaj inspektoi kuzhinën e IEVP-së, sasinë dhe cilësinë e ushqimit, si edhe protokollet sanitare të stafit mbështetës. Gjithashtu Ministrja vizitoi mjediset e përbashkëta të të dënuarve, sallën e komunikimit online me familjarët, infermierinë dhe ambjentet shëndetësore të burgut të Fushë-Krujës.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u theksoi mbështetjen strukturave të burgjeve dhe u shpreh se pas trajtimit financiar dhe rritjes së pagave për vitin 2020, po punohet ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin për të arritur mbështetje të përmirësuar financiare edhe për vitin 2021 dhe 2022.
Gjithashtu Ministrja i kërkoi drejtuesve të burgut që të mos heqin dorë nga garantimi maksimal i marrëdhënieve etike me vartësit. Gjonaj i deklaroi të gjithë ekipit të IEVP-së se ka aplikuar një linjë të hapur komunikimi për të gjithë stafet e burgjeve të Republikës, të cilët në çdo kohë mund të komunikojnë direkt me Ministren dhe strukturat e saj, për të raportuar çdo problematikë ose shqetësim që cënon mbarëvajtjen e aktivitetit të përditshëm në sistemin penitenciar shqiptar.
Ministrja Etilda Gjonaj u shpreh se “Kërkoj nga drejtuesit të nxisin frymën e transparencës dhe bashkëpunimit që çdo vartës i tyre të shkruajë, sugjerojë dhe këshillojë dhe reflektojë çdo përmirësim të mundshëm në punë”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.