Ministrit Naço urdhëron nisjen e përcaktimit të kritereve testuese të personelit të ZVRPP - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/12/2014

Ministrit Naço urdhëron nisjen e përcaktimit të kritereve testuese të personelit të ZVRPP

Ministri i Drejtësië, z. Nasip Naço ka urdhëruar ditën e sotme nisjen e procesit, të përcaktimit të kritereve dhe procedurave për certifikimin e aftësive profesionale, të regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të testimit të aftësive profesionale të personelit të këtyre zyrave.

Në urdhër parashtrohet se Kryeregjistruesi brenda datës 31.12.2014 duhet të hartojë dhe t’i propozojë për miratim Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kriteret dhe procedurat për certifikimin e aftësive profesionale të këtyre punonjësve.

Më tej, brenda 60-ditëve nga miratimi i kritereve dhe procedurave, Kryeregjistruesi duhet që të marrë masat e nevojshme për realizimin e testimit / certifikimit të aftësive profesionale të të gjithë drejtuesve dhe punonjësve, sipas procedurës të miratuar.

Në urdhërin e Ministrit të Drejtësisë është parashikuar edhe afati i daljes së rezultateve përfundimtare, të cilat duhet të bëhën me dije nga Kryeregjistruesi brenda 30-ditëve nga kryerja e testimit.

Urdhëri i Ministri Naço konfirmon deklaratën e tij të pak ditëve më parë, gjatë ceremonisë së finalizimit të projektit ALBSReP, ku ndër të tjera z. Naço njoftoi se përpos investimit në teknologji, do të investohet po kaq edhe në përmirësimin e aftësive profesionale të punonjësve të zyrave të regjistrimit.

Sipas z. Naço asnjë teknologji e re moderne nuk mund të japë rezultatet e dëshiruara në rast se përdoret nga punonjës të pakualifikuar apo nga të tjerë nëpunës të cilët e keqpërdorin besimin e dhënë për kryerjen e detyrës.

Gjithashtu, kreu i drejtësisë shqiptare pak ditë më parë, vuri në dukje se në programin qeverisës, përpos përmirësimit të shërbimeve publike dhe verifikimit të cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit, është me rëndësi edhe rikthimi i nëpunësve të administratës në shërbyes të qytetarëve.

Klikoni këtu për të shfaqur Urdhër nr. 691 dt. 22/12/2014 të Ministrit të Drejtësisë