Ministria e Drejtësisë zhvillon konsultim publik me Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtshme - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/09/2020

Ministria e Drejtësisë zhvillon konsultim publik me Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtshme

Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot një tjetër konsultim të gjerë publik me përfaqësues të grupeve të interesit dhe institucioneve mbi projektligjin “Për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj theksoi se ‘Për herë të parë kemi një kuadër ligjor për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme me qëllim rregullimin dhe formalizimin e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe sidomos për të garantuar shërbim më të sigurtë për qytetarin’.

Gjithashtu kjo iniciativë vjen edhe për të përmbushur detyrimet që Shqipëria ka marrë përmes angazhimit me Task Forcën për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL për të forcuar luftën kundër pastrimit të parave.

Jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë vendet e tjera, agjensitë dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, së bashku me noterët dhe me kategori të tjera vlerësohen si faktorë të rëndësishëm, ku mekanizmat kontrollues për ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre luajnë rol kyç në parandalimin e pastrimit të parave.

Me këtë projektligj, synohet çertifikimi i ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, të drejtat dhe detyrimet e tyre, mekanizmat inspektues, si dhe rregjistrimin në një rregjistër të posaçëm.

Ky akt gjithashtu do të shërbejë për të rregulluar dhe moderuar sektorin, si dhe do të mundësojë një konkurrencë të ndershme edhe midis subjekteve duke rregulluar informalitetin në fushën e pasurive të paluajtshme.