Ministria e Drejtësisë Së Bashku Me 12 Organizata të Shoqërisë Civile Ofrohet FALAS Ndihmë Juridike Për Qytetarët - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/09/2020

Ministria e Drejtësisë Së Bashku Me 12 Organizata të Shoqërisë Civile Ofrohet FALAS Ndihmë Juridike Për Qytetarët

Ministria e Drejtësisë vuri në jetë bashkëpunimin institucional për ofrimin e ndihmës ligjore falas, me 12 përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile. Për herë të parë shërbimi që do të ofrojnë organizatat më me shumë eksperiencë, formalizohet nëpërmjet autorizimit të Ministrit të Drejtësisë për secilën OJF për një periudhë dy vjeçare, mbështetur financiarisht nga Buxheti i Shtetit.

Reforma në Drejtësi hapi rrugën për një praktikë të re në shërbim të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë – Ndihma Ligjore Falas. Tashmë qytetarët, do të kenë mundësi të përfitojnë shërbimin jo vetëm nga Qendrat e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, Klinikat e Ligjit pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe nga avokatët e 12 OJF-vetë autorizuara të cilat janë një komponent shumë i rëndësishëm në sistemin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti.

Së bashku me organizatat e shoqërisë civile, Ministria e Drejtësisë po realizon ofrimin e ndihmës ligjore falas për një numër më të lartë qytetarësh, shtrirje më të gjerë gjeografike, ndihmë ligjore më të specializuar për grupet në nevojë, gratë e dhunuara, viktimat e trafikimit, të miturit, etj.

Autorizimi i OJF-ve është një procedurë e re, një mekanizëm i ri që krijohet në funksion të rrjetëzimit të institucioneve që ofrojnë ndihmën juridike falas. Përvoja në fushën e ndihmës juridike, eksperienca e gjatë e organizatave në këtë kuadër, është një garanci e shtuar për çdo qytetar që do të përfitojë nga shërbimet ligjore falas.

Specializimi i tyre në fusha specifike sipas kategorive përfituese të parashikuara në ligj, përmendim këtu, forcimin e aksesit në drejtësi për të miturit, viktimat e dhunës me bazë gjinore, të rinjtë vulnerabël etj. është një tjetër komponent i rëndësishëm sa i përket shërbimit të ndihmës juridike parësore që do të ofrojnë këto organizata veçanërisht duke patur në fokus kategoritë e veçanta të ligjit.

Gjithashtu, vlen të theksohet shpërndarja gjeografike e këtyre organizatave nëpër rrethe e qytete të ndryshme (Tiranë, Elbasan, Berat, Shkodër), duke bërë të mundur kështu shtrirjen sa më të gjerë dhe mbulimin me shërbime ligjore falas në pothuaj të gjithë territorin e vendit.

Risi e këtij procesi është jo vetëm autorizimi i OJF-ve që do të ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti, por edhe financimi i tyre nga ana e shtetit duke bërë të mundur kështu një bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitmprurëse për një shërbim ligjor sa më cilësor, eficient dhe profesional.

OJF-të punojnë për grupet vulnerabël dhe e njohin më mirë komunitetin, nevojat e tyre, aktorët e tjerë të shoqërisë civile dhe kanë eksperiencën e duhur në këtë kuadër. Duke patur njohuri dhe eksperienca të tilla që rrjedhin nga shërbimi kundrejt komunitetit, me autorizimin nga Ministri i Drejtësisë për ofrimin e shërbimit të ndihmës juridike parësore synohet jo vetëm zgjerimi i ofruesve të shërbimit dhe rrjetëzimi i institucioneve në këtë kuadër por edhe ofrimi i shërbimit me cilësi të lartë dhe profesionalizëm duke patur në vëmendje të veçantë grupet vulnerbël (kategoritë e veçanta të ligjit).

Partneriteti dhe bashkëpunimi institucion publik dhe organizatë jofitimprurësë / shoqëri civile,  është një komponent shumë i rëndëishëm sidomos kur bëhet fjalë për shërbime që i ofrohen drejtpërdrejt qytetarit.