Mëngjesin së martës u zhvillua në Tiranë një tryezë diskutimi për master-planin e sistemit penitenciar në Shqipëri, që pritet të zbatohet për periudhën 4 vjeçare 2019-2022.
Zanafilla e reformës në sistemin penitenciar erdhi pas iniciativës së Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, për të ndërmarrë një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse në një sektor delikat prej dekadash. Ky master-plan ka marrë një mbështetje dhe njëkohësisht po certifikohet nga partnerët ndërkombëtarë, Këshilli i Evropës, dhe Britania e Madhe.
Pjesë e kësaj tryeze diskutimi të hapur, ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi, të cilat po kontribuojnë për një produkt sa më cilësor.
Reforma e sistemit penitenciar mbështetet në tre shtylla kryesore.
Përmirësimi i legjislacionit.
Ku përfshihet përmirësimi i akteve ligjore dhe nënligjore të sistemit të burgjeve dhe shërbimit të provës. Përqasja e legjislacionit të sistemit të burgjeve në përputhje me legjislacionin e BE-së. Përmirësimi i të drejtave dhe trajtimit për të dënuarit dhe të paraburgosurit në sistemin e burgjeve. Përmirësimi i të drejtave dhe kushteve të punësimit të punonjësve të policisë së burgjeve.
Krijimi i një sistemi sipas standardeve evropiane për menaxhimin e sigurisë në burgje nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të stafit policor. Përmirësimi i shërbimeve të ofruara për kategorinë e personave me liri të kufizuar, ku përfshihen grupet vulnerabël, mbështetur në trajtimin human dhe jo-diskriminues.
Përmirësimi dhe rritja e cilësisë së shërbimit duke përcaktuar qartë kompetencat, strukturën, statusin dhe mënyrën e rekrutimit të stafit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Përmirësimi i veprimtarisë së institucionit. Nevojat e diktuara në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
Shtylla e dytë ka për qëllim përmirësimin e trajtimit të të dënuarve nëpërmjet politikave rehabilituese, rritjes profesionale të stafit, si dhe uljes së korrupsionit.
Dhe rruga që do të ndiqet duke implementuar master- planin është, rritja e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të personelit të institucioneve penitenciare. Përcaktimi i kritereve të posaçme për pranimin në shërbimet e policisë së burgjeve dhe në shërbimet e tjera që parashikohen sipas Kodit të Punës dhe Ligjit të Nëpunësit Civil. Forcimi i masave antikorrupsion në sistemin e burgjeve dhe parandalimi i fenomeneve të tjera negative. Përmirësimi i trajtimit financiar të stafit policor.
Dhe shtylla e tretë e master-planit është përmirësimi i infrastrukturës.
Përmirësimi i infrastrukturës fizike, materiale dhe teknologjisë në sistemin e burgjeve. Ndërtimi i burgjeve të reja për shkak të mbipopullimit dhe të kërkesave të larta që kanë ardhur nga shtetet e tjera për transferimin e shtetasve shqiptarë për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Vetëm për periudhën janar-shtator 2017, kanë ardhur 128 kërkesa për transferim. Përmirësimi i sigurisë në sistemin e burgjeve. Vendosja e sistemeve të kamerave. Modernizimi i sistemit të komunikimit, nëpërmjet shërbimit IT. Rikategorizimin e institucioneve penitenciare. Përmirësimin e shërbimeve të ofruara për kategorinë e personave me liri të kufizuar, duke përfshirë grupet vulnerabël, mbështetur në trajtimin human dhe jo diskriminues. Dhe ulja e mbipopullimit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.