Në kuadër të rritjes së cilësisë së shërbimit të ofruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar një vizitë pune inspektuese në ZVRPP Kavajë dhe Durrës.
Referuar angazhimit të Qeverisë Shqiptare për ta futur çështjen e pronave në rrugën e zgjidhjes, Ministri Naço ka lënë disa rekomandime duke e vënë theksin veçanërisht në faktin se shërbimi që ofrohet në sportelet e Zyrave të Regjistrimit, të jepet në kohë dhe me cilësinë e duhur.
Ministri Naço u shpreh se zyrtarët e zyrave të regjistrimit nuk duhet të jenë më shkaktarë të ankthit të pritjes së qytetarit, ndërsa sqaroi se është nisur një reformë administrative në lidhje me testimin e të gjithë punonjësve të Zyrave të Regjistrimit, kjo për të certifikuar aftësitë e tyre profesionale, por nga ana tjetër për të evidentuar nevojën për përmirësimin e shërbimit.
Z. Naço vuri në dukje se asnjë teknologji e re dhe moderne nuk mund të japë rezultatet e dëshiruara, në rast se përdoret nga punonjës të pakualifikuar apo nga të tjerë nëpunës të cilët e keqpërdorin besimin e dhënë për kryerjen e detyrës.
Kreu i drejtësisë shqiptare shprehu vendosmërinë e tij për të mirëpritur çdo propozim nga Kryeregjistruesi për të larguar nga ky shërbim këdo nga drejtuesit që abuzon me detyrën dhe funksionin publik.
Ministri Naço theksoi se nuk do të lejohet zbatimi i asnjë axhende personale nga kushdo punonjës, apo i çdo niveli qoftë dhe se i vetmi mik që do të garantojë qëndrimin në detyrë për secilin prej tyre, do të jetë vetëm zbatimi i ligjit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.