Ministri Naço takon Raporterin e Parlamentit Evropian, z. Knut Fleckenstein - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 09/01/2015

Ministri Naço takon Raporterin e Parlamentit Evropian, z. Knut Fleckenstein

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço zhvilloi një takim me Raporterin e Parlamentit Evropian për  Shqipërinë, z. Knut  Fleckenstein.

Ministri Naço ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë ndërsa e ka informuar z. Fleckenstein për ecurinë e reformave të ndërmarra, në forcimin e shtetit të së drejtës, si një parakusht për suksesin e ecurisë së proceseve integruese të vendit.

Z. Naço theksoi qëndrimin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare, për ta drejtuar në një rrugë pa kthim reformën në drejtësi, duke evidentuar nëvojën e një platforme të qartë dhe të qëndrueshme, veçanërisht në përgjigje të problematikave që shfaq funksionimi i sistemit gjyqësor në vendin tonë.

Gjithashtu bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi çështje që prekin funksionimin dhe rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Ministri Naço bëri prezente ndryshimet ligjore të realizuara si nevojë urgjente e kthimit të këtij institucioni në funksion real, duke e vënë theksin në krijimin e një sistemi efektiv të vlerësimit të punës së gjyqëtarëve, por dhe për ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të KLD-së.

Komisioni i posacëm parlamentar për reformën në drejtësi është bërë pjesë e diskutimit, ndërsa z. Fleckenstein ka shprehur interes lidhur me modalitet e funksionimit të tij.

Lidhur me këtë çështje Ministri Naço është shprehur i interesuar për pjesëmarrjen e opozitës në këtë komision, duke theksuar rëndësinë e një procesi reformues gjithepërfshirës.

Përsa i takon rolit që do të luaj Ministria e Drejtësisë në këtë komision, Ministri Naço e ka garantuar z. Fleckenstein se ky rol do të jëtë proaktiv dhe se në këtë rast institucioni që ai drejton do të jetë një urë lidhëse mes ekzekutivit dhe legjislativit, përtej pozitave të një sekretariati teknik.

Z. Fleckenstein ka shprehur interes gjithashtu edhe lidhur me funksionimin dhe rolin e portalit online “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, ndërsa ka vlerësuar rolin e përfshirjes së një gjenerate të re juristës, që do t’i jepte një frymë të re sistemit.

“Hartimi i ligjeve është puna më e lehtë, krahasimisht përpjekjeve që duhen bërë për zbatimin e ligjit”, u shpreh ndër të tjera z. Fleckenstein.