Ministri Naço takon krerët e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Maqedoni. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/12/2014

Ministri Naço takon krerët e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.

Gjatë vizitës dy ditore në Maqedoni, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço realizoi disa takime me  krerët e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.

Gjatë takimit me Kryetaren e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, Znj. Aleksandra Zafirovska, si dhe anëtarë të tjerë të këtij institucioni z. Naço, bëri një prezantim të shkurtër të reformave të ndërmarra nga  Ministria e Drejtësisë,  dhe të raportit të ndërveprimit të saj me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në këtë kuadër, Ministri Naço  theksoi nevojën për ndryshim në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve si një parakusht për parandalimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe shprehu interesin për shkëmbimin e eksperincave në këtë drejtim.

Në prezantimin e saj Zj. Zafirofska shprehu  kënaqësinë për  realizimin e këtij takimi dhe evidentoi se Maqedonia, ka filluar reformën e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2004. Në kuadrin e këtij reformimi në vitin 2010 janë përcaktuar kriteret dhe procedurat e vlerësimit të gjyqtarëve  dhe ende ekziston nevoja për reforma edhe më të thella për funksinimin sa më mirë të Këshillit Gjyqësor, reforma këto që po sjellin nevojën edhe të ndryshimeve kushtetuese tha zj. Zafirofska.

Një takim në klimë krejtësisht bashkëpunuese dhe mirëkuptuese z. Naço zhvilloi dhe në ambjetet e Gjykatës Kushteteuse, ku ai u prit nga zj. Elena Gosheva, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë si dhe anëtarë të tjerë të Gjyqit Kushtetues.

Zj. Gosheva, e njohu Ministrin Naço, me procedurat dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e funksionimit të saj. Gjithashtu ajo citoi që ashtu sic në çdo vend, Gjykata Kushtetuese është institucioni vendimet e të cilit janë shpesh në konflikt  me  politikën dhe grupet e ndryshme të interesit.

Z. Naco theksoi se pavarësisht konflikteve, pëlqimit apo mosspëlqimit janë vendimet e Gjykatës ato që duhen pranuar e zbatuar. Ai bëri më dije se Qeveria Shqiptare në kuadër të reformës në sistemin gyqësor, do të ndërhyjë në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në funksion të përmirësimit të procedurës të vendimmarrjes, njoftimit dhe publikimit të vendimeve të kësaj gjykate.

Një tjetër takim i Ministrit Naço, ishte ai i realizuar me Prokurorin Publik të Republikës së Maqedonisë Z. Marko Zvrlevski. Ky i fundit e njohu z. Naço me bashkëpunimin e ngushtë që ky institucion ka patur me Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeprokurorin Adritatik Llalla. Gjithashtu, z. Zvrlevski, e njohu delegacionin shqiptar me mënyrën e funksionimit të organit të Prokurorisë së Republikës së Maqedonisë, nismat propozuese të këtij organi për ndryshime ligjore në funksion të përmirësimit dhe efikasitetit të ndjekjeve penale dhe rolit të Prokurorit Publik.

Z. Naço gjithashtu bëri me dije se Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në reformimin edhe të funksionimit të këtij institucioni, ku një nga pikat është dhe Këshilli i Prokurorisë të cilit do t’i jepet  jo vetëm rol këshillimor por dhe vendimmarrës për realizimin e karrierës së prokurorëve.

Z. Naço shprehu interes për t’u njohur edhe me eksperiencën e shtetit maqedonas në luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, ndërsa evidentoi se bashkëpunimi më i zgjeruar ndërinstitucional dhe gjyqësor realizuar në bazë të memorandumeve të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve dypalëshe e ndërkombëtare në fuqi, janë faktor përcaktues në  forcimin e luftës ndaj krimit ndërkufitar.

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë z. Nasip Naço, i shoqëruar dhe nga homologu i tij Adnan Jashari, realizuan një vizitë dhe pranë Shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës, ku u njoh me përmbajtjen e saj dhe në fund bëri një dedikim  në librin e shënimeve.