Ministri Naço takohet me z. Spyridonas Flogaitis, Drejtorin e Organizatës Europiane për Legjislacionin Publik (EPLO) - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/02/2014

Ministri Naço takohet me z. Spyridonas Flogaitis, Drejtorin e Organizatës Europiane për Legjislacionin Publik (EPLO)

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar një takim me z. Spyridonas Flogaitis, Drejtorin e Organizatës Europiane per Legjislacionin Publik (EPLO).

Gjatë takimit është diskutuar në lidhje me hapësirat institucionale në fushën e së drejtës publike, zhvillimin e programeve të trajnimit, hartimin e studimeve dhe bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare në fushën e të drejtës publike.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka shprehur interesin e tij për t’u njohur me modalitetet e Marrëveshjes për Themelimin dhe Statutin e Organizatës Evropiane të Legjislacionit Publik, ndërsa u shpreh i sigurtë për nisjen e një angazhimi konkret pranë kësaj organizate.

Gjithashtu gjatë bisedës, palët vlerësuan edhe krijimin e një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, dhe nëse kjo gjë do të mundësohej, atëherë do të realizohej ngritja e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë.

Ndërkohë, Ministri Naço e informoi z. Flogaitis se në datën 4 Nëntor 2013, filloi punën Gjykata Administrative, përzgjedhja e gjyqtarëve të së cilës është bërë me një procedurë të hapur dhe me prezencën e përfaqësuesve të Delegacionit Europian.

Në këtë kuadër, u ofrua si një mundësi bashkëpunimi edhe nënshkrimi i një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EPLO-s, për dhënie asistence në ofrimin e trajnimeve për stafin e Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarëve të Gjykatave Administrative dhe stafin mbështetës të tyre.

Gjithashtu gjatë takimit u sollën në vëmendje edhe mundësitë e zhvillimit të studimeve dhe trajnimeve në fushën e të drejtës publike europiane, të drejtës publike kombëtare dhe të drejtës publike të krahasuar.