Ministri Naço takim me përfaqësues të sistemit penitenciar të Kosovës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/10/2015

Ministri Naço takim me përfaqësues të sistemit penitenciar të Kosovës

 

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur në takim një delegacion me përfaqësues të sistemit penitenciar të Kosovës, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare, me synim njohjen e sistemit të burgjeve në vendin tonë.

Delegacioni prej 8 zyrtarësh të lartë të Shërbimit Korrektues të Burgjeve të Kosovës kryesohej nga drejtori në detyrë, z. Sokol Zogaj.

Në këtë takim të parë me delegacionin e Kosovës, Ministri Naço vuri në dukje se bashkëpunimi mes dy vendeve është në interesin e të dy palëve, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave, vizitave dhe praktikave më të mira.

“Me qëllim menaxhimin e duhur të burgjeve në aspektin e kapaciteteve akomoduese, janë bërë dy investime të reja, burgu i Fierit dhe i Shkodrës, të cilët përmbushin standardet ndërkombëtare dhe janë investime të Komisionit Europian. Por trajnimet specifike dhe kualifikimet e stafit janë edhe më të rëndësishme për menaxhimin e çdo situate.”- u shpreh Ministri Naço.

Më pas, Ministri e njohu delegacionin me risitë e fundit ligjore që lidhen me Kodin Penal, Ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”, ku ai theksoi se për herë të parë janë përfshirë nocionet e ‘burgut të hapur’ dhe burgut të sigurisë së lartë, sipas sistemit italian.

“Nocioni i burgut të hapur është i ri për mentalitetin e shoqërisë shqiptare, por qëllimi i tij primar është motivimi me punë i të burgosurve. Gjithashtu, aplikimi i këtij modeli ofron një mundësi për menaxhimin afatgjatë të sistemit të burgjeve, qoftë në aspektin financiar të burimeve, por edhe atë të mbipopullimit.”- tha z. Naço.

Edhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Burgjeve të Kosovës ra dakord me z. Naço dhe u shpreh se puna është terapia më e mirë për të burgosurit.

Delegacioni Kosovar ka kryer një vizitë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa më pas vizita ka vijuar në Institutin e të Miturve në Kavajë dhe në IEVP Fier, ku u njohën me punën direkte që bëhet në këto burgje, me programet dhe infrastrukturën e tyre.