Pjesë e axhendës së takimeve zyrtare të Ministrit Naço gjatë vizitës në Spanjë, ka qenë edhe takimi me Kryetarin e Komisionit të Drejtesisë së Parlamentit Spanjoll, z. Alfredo Prada si dhe me një përfaqësi deputetësh të të gjitha forcave politike.
Takimi u fokusua në organizimin dhe funksionimin e këtij komisioni, projektligjet që po propozojnë të dy vendet lidhur me reformat në sistemin e drejtësisë.
Z. Prada dhe anëtarët e tjerë të komisionit, e njohën z. Naço me një sërë projektesh legjisative që po realizohen aktualisht në Spanjë, sikurse projektligjet që lidhen më asistencën dhe ndihmën juridike, reformën hipotekore, ndryshimet në Kodin Penal, ndryshimet në ligjin për financimin e partive politike, ligjin për funksionimin e pushtetit gjyqësor, si dhe ligje të tjera që lidhen me luftën kundër korrupsionit.
“E gjithë klasa politike spanjolle ka dhënë konsensusin për realizimin e reformave legjislative që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit të çdo lloji dhe luftën kundër korrupsionit”, theksoi Z. Prada
Ndërkaq, anëtarët e komisionit i shprehën z. Naço qëndrimin e tyre për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE, rrugë e cila, sipas tyre kërkon patjetër edhe reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në atë gjyqësor, gjë për të cilën Spanja me shumë dëshirë ofron eksperiencën e saj.
Z. Naço pasi i informoi të pranishmit mbi organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Parlamentare në Shqipëri, veçanërisht atë të Komisionit të Ligjeve, i njohu edhe me reformat e realizuara deri më tani nga Shqipëria për intesifikimin e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu z. Naço evidentoi faktin se në Shqipëri sistemi i drejtësisë ka shfaqur probleme dhe nuk ka funksionuar mirë, duke e pasur mjaft emergjente ndërmarrjen e reformave të thella, për realizimin e të cilave në Parlamentin Shqiptar është ngritur Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Naco theksoi se për ta realizuar reformën në drejtësi, maxhoranca qeverisëse ka shprehur vullnetin e vendosjes së bashkëpunimit me opozitën dhe në konsultim me partnerët ndërkombëtar.
“Bashkëpunimi dhe dakortësia parlamentare e forcave politike spanjolle për realizimin e reformave në drejtësi, sikurse edhe për miratimin e ligjeve kundër terrorizmit, duhet të vlejnë si një leksion dhe shembull edhe për politikanët shqiptar”, u shpreh z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.