Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë një takimi në Gjykatën e Korçës, në kuadër të projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, ka deklaruar se janë të patolerueshme rastet e zvarritjes së gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, sikurse edhe rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi.
Z. Naço vlerësoi se një gjë e tillë ndikon drejtpërdrejtë në percetimin negativ të publikut të gjerë tek drejtësia, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor.
“Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në këtë kuptim ky projekt vjen si një sfidë ndaj këtij fenomeni, duke treguar se është e mundur të arrihet gjykimi i çështjeve në një kohë të shpejtë madje edhe pa ndryshime ligjore. Në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mospjesëmarrje të palëve në proces apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave. Kam parasysh këtu përfaqësuesit e institucioneve shtetërore palë në gjykim, të cilët bëhen shkak për shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale. Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore palë në procese gjyqësore, jo vetëm të përfaqësohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhërat e vendimet e gjykatës gjatë procedurave gjyqësore”, tha z. Naço
Përsa më sipër, kreu u drejtësisë shqiptare sqaroi se planifikimi më i mirë i seancave gjyqësore, nëpërmjet konsultimit paraprak me palët, zbatimi rigoroz i sanksioneve ligjore të parashikuara për mungesat e pajustifikuara në seancat gjyqësore të palëve në gjykim, me qëllim zhvillimin normal të procesit gjyqësor, janë disa hapa konkrete që nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore, por vetëm një qëndrim më aktiv të gjyqtarëve.
Sipas Ministrit Naço projekti “Për një drejtësi pa vonesa”, synon përqasjen me praktikat më të mira të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në drejtim të shpejtësisë së gjykimit dhe të efiçencës.
“Implementimi i këtij projekti në Gjykatën e Korçës e sjell projektin në një stad tjetër sepse tashmë kalon në një gjykatë me një numër më të madh gjyqtarësh se Gjykata e Krujës. Eksperienca e deritanishme në gjykatën e Krujës tregon se ky projekt ka dhënë rezultate inkurajuese dhe se kjo eksperiencë pozitive duhet shtrirë edhe në gjykata të tjera. Po kështu edhe ne gjykatën e Korçës, treguesit janë premtues për të garantuar suksesin e projektit”, u shpreh z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.