Ministri Naço pret në takim Ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, z. Adnan Jashari - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/04/2015

Ministri Naço pret në takim Ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, z. Adnan Jashari

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë, z. Adnan Jashari ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë  të homologut të tij shqiptar, z. Nasip Naço.

Gjatë takimit që dy Ministrat zhvilluan sëbashku, shprehën reciprokisht vlerësimin për bashkëpunimin e ndërsjelltë gjyqësor në zbatim të tre marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 1998, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë sikurse janë, marrëveshja dypalëshe “Për ndihmë juridike në fushën penale dhe civile”, marrëveshja “Për njohjen e vendimeve gjyqësore penale”, si dhe ajo “Mbi ekstradimin”.

Theksi u vendos në shkëmbimin e eksperiencës lidhur me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve si dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor në Maqedoni dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri.

Gjatë diskutimit, Ministri Jashari po ashtu solli në vëmendje se në Maqedoni, me reformat që janë ndërmarrë është ngritur sistemi i matjes dhe i vlerësimit të punës së gjyqtarëve.

Në përfundim të takimit, dy Ministrat kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për media, ku ndër të tjera u theksuar interesi lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy Ministrive.

“Ishte kënaqësi të kisha në takim z. Jashari, nga ku ramë dakort se duhet të përfitojmë reciprokisht, sepse jemi të bidnur se krimi nuk njeh kufi dhe ka nevojë për bashkëpunimin e të dyja institucioneve tona. Sigurisht që duke qenë vende të vogla, në rajon mund të mos jemi lider në aspektin ekonomik, por të dy palët ndajmë mendimin se me reformat e bëra, kemi mundësi për të qenë lider përsa i përket sistemit të drejtësisë. Ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë shumë të mirë, ndonëse mbetet akoma punë për të bërë në mënyrë që të dyja vendet tona të shkëmbejnë informacionin, të bashkëpunojnë më njëri tjetrin dhe në çdo rast të kemi institucione të pavarura dhe me integritet. Të dy palët këmi qenë në të njëjtën gjatësi vale, të bindur për përpjekjet që duhet të bëjmë në rajon në luftën ndaj financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shkëmbimi i informacionit në kohë mes dy ministrive apo institucioneve të tjera ligjzbatuese është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Ministri Naço

Ndërkohë, në fjalën e tij gjatë konferencës për media, Ministri i Drejtësisë i Republikës së Maqedonisë, z. Adnan Jashari theksoi se mes dy vendeve ekziston vullneti i përbashkët për të krijuar sisteme juridike që mbi të gjitha të jenë efikase, transparente  dhe të unifikuara, jo vetëm me direktivat e Bashkimit Evropian, por edhe me standardet më të avancuara bashkëkohore, veçanërisht në sistemin gjyqësor.

Ministri Jashari sqaroi se procesi i ekstardimeve është realizuar nga të dyja anët dhe nuk ka pasur pengesa, duke bërë të mundur ekstradimin e 6 shtetasve maqedonas nga Shqipëria, deri në vitin 2014.

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë e bazojnë bashkëpunimin e tyre në tre marrëveshje të rëndësishme të ratifikuara nga vitit 1998. Tre marrëveshjet i diskutuam edhe sot me Ministrin Naço dhe ramë dakort se dy shtet përmes aktiviteteve që ndërmarrin i kanë respektuar në praktikë këto tre marrëveshje. Gjithashtu biseduam edhe për çështje që janë të lidhura me krimin e organizuar dhe sikurse Ministri e theksoi, krimi nuk njeh kufi, as pëkatësi etnike dhe as konvencionale. Përmes këtij bashkëpunimi besoj se do t’ia dalim për të realizuar qëllimin e hetimit të çdo forme apo dukurie që në një farë mënyrë vlerësojmë se në të ardhmen mund të jetë e dëmshme për dy shtetet dhe qytetarët e tyre”, tha ndër të tjera z. Jashari