Ministri Naço: “Njëqind kriminelë nuk bëjnë më shumë të këqija se sa një gjykatës i keq” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/01/2014

Ministri Naço: “Njëqind kriminelë nuk bëjnë më shumë të këqija se sa një gjykatës i keq”

 

“Ministria e Drejtësisë ka mbështetur dhe do të mbështes çdo nismë që shkon drejt pavarësisë së pushtetit gjyqësor, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe standarteve ndërkombëtare”, ka deklaruar Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço gjatë fjlaës së tij në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjithashtu Z. Naço theksoi se përmirësimi i infrastrukturës së sistemit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative mbetet një angazhim konstant, në përgjigje të rekomandimeve të  progres raportit të vitit 2013, i cili adreson plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, duke theksuar se disa masa janë ende të papërfunduara dhe një vlerësim gjithëpërfshirës i reformës pengohet nga  mungesa e treguesve specifikë.

“Në kuadër të efiçencës në gjykim, nga Gjykata e Apelit Tiranë kërkohet që procesi gjyqësor të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, po kështu të tregohet kujdesi i duhur ndaj praktikave gjyqësore të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, në përputhje me unifikimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë. Është i papranueshëm fakti që nga e njëjta gjykatë e shkallës së parë, apo i njëjti gjyqtar, të jepen vendime me qëndrime krejtësisht të ndryshme për të njëjtat çështje. Në këtë drejtim, do të duhet një vëmendje e shtuar nga ana e gjykatave të apelit për t’i bërë barrierë çdo fenomeni, i cili në vetvete perceptohet si veprim korruptiv, si nga qytetarët ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo kërkon, gjithashtu, një nivel më të lartë në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, duke i lënë detyra konkrete, specifike dhe të realizueshme gjykatave të shkallës së parë, në rastet e prishjes së vendimit dhe dërgimit të çështjes për rigjykim”, u shpreh Z. Naço

Sipas kreut të drejtësisë shqiptare, rritja e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies për sistemin e drejtësisë do të kërkojë padyshim monitorim dhe marrjen e masave përkatëse për zbatimin e ligjit.

Në këtë kuadër Ministri Naço kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë; Presidentit të Republikës, KLD-së, Gjykatës së Lartë, Konferencës Gjyqësore, ndërsa u bëri apel prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’u bërë palë me pjesën e shëndoshë të sistemit dhe për t’u distancuar nga pjesa e gangrenizuar e tij.

Z. Naço evidentoi se kritikat më të forta i mëshojnë çështjes së zgjajtjes së pajustifikuar të proceseve gjyqësore, duke shkaktuar fenomenin “një drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, mungesës së shpalljes së vendimeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme, cilësisë së dobët në arsyetimin dhe argumentin e vendimeve gjyqësore, mungesës së transparencës në emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve, mungesës së etikës dhe përfshirjes në veprime që denigrojnë figurën e gjyqtarit, mungesës së transparencës tek publiku, e shumë çështje të tjera, për të cilat Ministri Naço u shpreh se kanë mbërthyer sot pushtetin gjyqësor në tërësi dhe kanë dobësuar besimin e qytetarëve tek drejtësia e gjykatës.

Z. Naço solli edhe njëhërë në vëmendje se një bashkëpunim i harmonizuar me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke shmangur mbivendosjen e kompetencave dhe barrierave artificiale, do të jetë forcimi i kontrolleve qoftë tematike apo në bazë ankese në gjykatat e rrethit dhe të apelit.

Në funksion të këtij qëllimi Ministri Naço vlerësoi se, instalimi i sistemit audio në gjykata padyshim përbën sukses, sepse në radhë të parë lehtëson punën e vetë gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore, dhe njëkohësisht përbën një mekanizëm për të mbikëqyrur veprimtarinë e aktorëve të sistemit të drejtësisë të përfshirë në një proces gjyqësor.

 

“Prioritet për këtë vit përbën instalimi edhe i një rubrike tjetër në këtë sistem, atë të regjistrimit video, e cila padyshim do të sjell një përmirësim akoma dhe më të madh të punës së gjyqtarëve, por mbi të gjitha do të rrisë transparencën e veprimtarisë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, si dhe do të forcojë besimin e publikut tek ky sistem”, tha Z. Naço

 

Duke iu referuar rekomandimeve të Progres-Raportin 2013, i cili shprehet se raundi i emërimeve, transferimeve dhe ngritjeve në detyrë të gjyqtarëve tregon se marzhi i diskrecionit i gëzuar nga  Këshilli i Lartë i Drejtësisë është ende shumë i gjerë dhe duhet të ulet, Ministri Naço u shpreh i vendosur për reformimin e sistemit gjyqësor, në çdo hallkë të tij, adresuar kjo dhe në sistemin e emërimit të gjyqtarëve si dhe ngritjeve në detyrë të tyre.

 

“Komisionit të Venecias i kemi kërkuar eskpertizën për reformimin e hallkave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë siç është   Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj, për t’i dhënë një frymë dhe dimension të ri promovimit të gjyqtarëve, në bazë të vlerësimit objektiv të punës së tyre dhe aftësive profesionale në ushtrimin e detyrës”,theksoi Z. Naço

 

Më tej, Z. Naço shtoi se një nga sfidat e punës do të jetë ndërmarrja e nismave  ligjore apo institucionale, në funksion të krijimit të kushteve optimale  të punës dhe të trajtimit të trupës gjyqësore.

“Ministria e Drejtësisë ka filluar punën për përfshirjen e ndihmësit ligjor në sistemin gjyqësor, duke e konsideruar veprimtarinë e këtij aktori të rëndësishëm në lehtësimin e ngarkesës dhe punës së gjyqtarëve. Janë përfshirë ne planin analitik të projektligjeve për 4-mujorin e parë të këtij viti, ndryshimet në ligjin për pushtetin gjyqësor, të cilat ndër të tjera do të përfshijnë edhe përcaktimin e statusit, pagës dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin normal të këtij pozicioni”, u shpreh Ministri i Drejtësisë

 

Gjithashtu, me rëndësi të veçantë Z. Naço konsideroi marrëdhënien e gjykatës me median dhe publikun e cila pa dyshim duhet të jetë në nivelet më të larta dhe pozita lehtësuese. Në këtë rast kreu i drejtësisë shqiptare kërkoi rritje e përgjegjshmërisë së administratës gjyqësore në komunikim, veçanërisht ndaj qytetarëve të thjeshtë.

 

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço garantoi se së bashku me të gjithë aktorët e rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, në përputhje me kompetencat ligjore, do të synojë ta ridimensionojë gjyqësorin shqiptar drejt standardeve, që i kemi aspiruar prej kohësh, duke u përpjekur me gjithçka tonën të mirë, që t’i kthejmë vlerat dhe besimin që meriton kësaj hallke të rëndësishme të sistemit të drejtësisë”, përfundoi Z. Naço