Reformimi dhe modernizimi i sistemit të drejtësisë, rritja e transparencës, besueshmërisë dhe efiçencës, nëpërmjet përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit me synim dixhitalizimin e këtij sistemi është theksuar sot nga Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço, gjatë Konferencës Rajonale të Lidershipit në Gjyqësor.
“Përdorimi i teknologjisë së informacionit në sistemin e drejtësisë mbështetet në parimet dhe përcaktimet ligjore të të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Në mbështetje të programit të Qeverisë Shqiptare kemi planifikuar të gjitha hapat dhe masat kyçe, me qëllim që të gjitha objektivat tona nga shprehja “…do të…” të shndërrohen në “të përmbushur”. Ne e vlerësojmë si një hap pozitiv regjistrimin audio në sallat e gjykimit, pasi ky sistem ndikon në rritjen e transparencës dhe uljen e fenomeneve korruptive, si një ndër kushtet themelore për të siguruar një sistem të drejtë, jo vetëm në dhënien e drejtësisë për qytetarët, por edhe në vlerësimin realist dhe profesional të gjyqtarëve dhe të nëpunësve të sistemit të drejtësisë që marin pjesë në zhvillimin e proceseve gjyqësore”, u shpreh Ministri Naço
Kreu i drejtësisë shqiptare vuri në dukje se është implementuar suksesshëm teknologjia e informacionit, në një sërë veprimesh dhe procedurash ligjore dhe gjyqësore duke realizuar një sistem transparent, të kontrollueshëm dhe të besueshëm, me fokus përmirësimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të shpejta, cilësore dhe efektive.
“Teknologjia e regjistrimit audio (RDA) ndihmon në mënyrë efikase procesin e një gjykimi të drejtë, i cili bazohet në regjistrimin e plotë të komunikimit gjatë seancës gjyqësore.Me krijimin e regjistrimeve të pandryshueshme audio, kjo teknologji ndikon në një sjellje me më shumë profesionalizëm dhe etikë në sallën e gjyqit. Instalimi i sistemit të regjistrimit audio të seancave gjyqësore ka ecur me ritme të kënaqme dhe deri tani është instaluar në 21 gjykata dhe 101 salla gjyqi. Gjithashtu janë trajnuar 226 gjyqtarë dhe 362 nëpunës të administratës së gjykatave”, tha Z. Naço
Ministria e Drejtësisë e vlerëson shumë të rëndësishme dhe prioritare luftën kundër korrupsionit nëpërmjet transparencës së proceseve gjyqësore, ku nëpërmjet masave legjislative, administrative dhe infrastrukturore që po ndërmerren synohet rritja e përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor, lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë si dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj shtetësave.
Dixhitalizimi sjell rritjen e transparencës, të përgjegjshmërisë së aktorëve të drejtësisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës, duke reduktuar nivelin e korrupsionit, si dhe duke rritur besimin e publikut tek drejtësia.
Implementimi i këtij projekti në të gjitha gjykatat do të rrisi ndjeshëm angazhimin qytetar, ndërgjegjësimin publik lidhur me fenomenin e korrupsionit, fuqizimin e rolit të medias në raportimin e rasteve korruptive në gjyqësor dhe institucionet shtetërore, rritjen e përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë ndaj praktikave korruptive, si dhe analizën dhe mbulimin e çështjeve të sistemit të drejtësisë nga gazetarët.
Në frymën e angazhimeve tona si dhe të rekomandimeve të dhëna në raport progresin 2013 ku përcaktohet se “Regjistrimi audio që po përdoret në 19 gjykata rrethi dhe apeli, duhet të zgjerohet më tej” do të synojmë shtrirjen e plotë të sistemit të regjistrimit me mjete audio në të gjitha gjykatat, falë ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.