Ministri i Drejtesisë, Z. Nasip Naço ishte sot i pranishëm në analizën vjetore të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Naço theksoi se reformimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë në tërësi, nuk do të kishte kuptim pa mirëadresimin dhe zgjidhjen e problematikave aktuale që mbart sistemi penitenciar në vendin tonë.
Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë Z. Nasip Naço
Shpesh mbyllja e një njeriu në burg, në sistemin totalitar, ka qenë zgjidhja e problemit, ndërsa në sistemin demokratik dhe në një shtet ligjor, mbyllja e një personi në burg është problemi që duhet zgjidhur.
Çdo njeri, kushdo qoftë dhe sado i poshtëruar, në mënyrë instinktive, apo me pavetëdije, pretendon që t’i respektohet dinjiteti i tij njerëzor.
Një i dënuar e di vendin e tij përballë pjesës tjetër të shoqërisë, por shoqëria dhe shteti ligjor nuk duhet të harrojnë se i dënuari është pjesë e shoqërisë dhe duhet të trajtohet njerëzisht.
Dhe ne këtu kemi filluar dhe do të vazhdojmë zgjidhjen e problemit, pasi jemi të vetëdijshëm se reformimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë në tërësi, nuk do të kishte kuptim pa mirëadresimin dhe zgjidhjen e problematikave aktuale që mbart sistemi penitenciar në vendin tonë.
Ky sistem, për hir të së vërtetës, na është trashëguar me një keqmenaxhim të theksuar, për shkak të së cilit, me keqardhje, më është dashur shpesh ta cilësoj: “sistem të kalbur, joprofesional, pa arsim përkatës, i ndërtuar mbi bazën e emërimeve politike dhe korruptive”.
Ky vlerësim ka ngjallur mjaft debate, por faktet konfirmojnë vërtetësinë e tij.
Tregues është periudha Janar-Shtator 2013 e vitit elektoral , kur lejet shpërblyese dhe ato të veçanta janë dhënë pa asnjë kriter ligjor, përkatësisht:
Në një periudhë 6 mujore Janar-Korrik 2013 janë dhënë rreth 1300 leje shpërblyese dhe rreth 250 leje të veçanta, ku vetëm për muajin Maj janë dhënë rreth 350 leje, si dhe sende të ndaluara, rreth 1000 celularë, që janë tregues i qartë i një sistemi të kalbur.
Ne jemi të vendosur që në çdo rast të respektojmë të drejtat dhe liritë e personave që vuajnë dënimin në këto institucione, por jemi po kaq të vendosur që të luftojmë në çdo rast korrupsionin qoftë politik, apo edhe elektoral.
Konceptet bazë të funksionimit të institucioneve të vuajtjes së dënimit janë rehabilitimi dhe ri-integrimi i të dënuarve në shoqëri.
Së pari kjo nënkupton respektimin e të drejtave bazë të njeriut, si dhe krijimin e kushteve infrastrukturore të përshtatshme, sikurse parashikohen nga legjislacioni në fuqi dhe Konventat Ndërkombëtare për personat që vuajnë dënimin penal në institucionet përkatëse.
Përmirësimi i trajtimit të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimi i dënimit penal në një mundësi për rehabilitim dhe riintegrim në jetën shoqërore, sikundër nënvizohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian, është objektivi kryesor dhe sfida jonë prioritare.
Për këtë qëllim Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një sërë iniciativash, për përsosjen e çdo hallke të mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe për zbatimin me rigorozitet të detyrimeve, që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues, si dhe i rekomandimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe rekomandimeve specifike të Komitetit për parandalimin e torturës.
(i) Ndryshimet e bëra në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” shënojnë progres jo vetëm në përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave që vuajnë dënimin, por edhe në parandalimin e recidivizmit të sjelljes kriminale, përmes ri-integrimit të shpejtë të këtyre personave në shoqëri.
Këto ndryshime adresohen veçanërisht për kategorinë vulnerabël siç janë të miturit, personat me çrregullime të shëndetit mendor, personat me aftësi të kufizuar, etj.
(ii) Ndërkohë, ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”, pritet të përmirësojnë procedurat e rekrutimit, sistemit të karrierës dhe masat disiplinore ndaj stafit të këtij sistemi, duke krijuar një shërbim policor të qëndrueshëm,
profesional,
të bazuar në meritë,
integritet moral dhe paanësi politike.
Gjithashtu këto ndryshime pritet t’i japin zgjidhje çështjes së mbipopullimit në burgje.
(iii) Modernizimi i sistemit penitenciar, përmirësimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e policisë së burgjeve, procedurat e punësimit dhe transferimit, dhënia e masave disiplinore, trajnimi i punonjësve do të jenë pjesë e ndryshimeve të projektvendimit “Për miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, për 6-mujorin e parë të vitit 2014.
(iv) Nxitja e punës te personat, që vuajnë dënimin, si një koncept jo ndëshkues, por motivues, si dhe përmirësimi i rregullave të shpërblimit të punës së kryer prej tyre, do të jetë ndër angazhimet tona, mes inisiativave nënligjore, për 6-mujorin e parë të vitit 2014.
Për realizimin e nismave ligjore, si dhe masave zbatuese në funksion të tyre, duhet një bashkërendim i punës me Shërbimin e Provës, me fokus ngritjen e një Komiteti mbi Politikat Penale.
Objekt i punës së këtij Komiteti, do të jetë rritja e ndërmjetësimit me Institucionet e Prokurorisë dhe Gjykatave për shtimin e numrit të masave alternative të dënimeve, për personat që kryejnë kundravajtje penale, apo vepra penale të konsideruara me më pak rrezikshmëri shoqërore.
Po ashtu, do të konsolidohet rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë e Shtetit, përsa i përket koordinimit të punës, shkëmbimit të informacionit dhe mbikqyrjes së shtetasve të privuar nga liria, të cilët përfitojnë leje shpërblyese apo te vecanta.
Ndërkohë, përpjekjet tona për zgjerimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike, me synimin e shtrirjes në të gjithë vendin,
-shkojnë për të ndihmuar ata qytetarë që kanë probleme me drejtësinë,
-adresohen tek të rinj e të reja, të cilët janë në burg sot dhe nuk ndjekin dot shkollën, por ne i japim një alternative të re,
-adresohen për ato gra, të cilat janë të dhunuara dhe i japim një siguri më të madhe ndaj dhunuesve.
Duke pasur parasysh praktikat më të mira evropiane, kjo nismë është menduar si një zgjidhje e integruar, brenda Shërbimit të Provës, me qëllim që të garantojë ri integrimin e të dënuarit.
Për personat, të cilëve u është aplikuar një masë alternative ndaj dënimit me burgim, mbikëqyrja elektronike synon të jetë një zgjidhje, në të njëjtën kohë dhe një mekanizëm, që synon të garantojë zbatimin korrekt të vendimeve gjyqësore.
Gjej rastin të inkurajoj të gjithë aktorët e shoqërisë civile, grupet e interesit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, të cilët duhet të jënë krahu ynë i djathtë në inisiativat tona legjislative,
ndaj zbatimit të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi në fushën e parandalimit të torturës dhe akteve çnjerëzore në institucionet e privimit të lirisë, si dhe ndaj denoncimit të çdo rasti dhune apo torture në to.
Një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur edhe institucioni i Avokatit të Popullit dhe në veçanti z. Totozani, që gjej rastin ta falenderoj, pasi kontrollet dhe rekomandimet e dhëna i kanë shërbyer evidentimit dhe përmirësimit të këtij shërbimi.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë dhe do të jenë partnerët dhe bashkëpunëtorët tuaj të palëkundur.
Nuk mund të lë pa përmendur rolin tepër të rëndësishëm që kanë luajtur partnerët dhe donatorët ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kishim sot shumë institucione të reja dhe me standarde të larta.
Gjej rastin të theksoj se gjatë viteve të fundit rreth 75 milion Euro janë një investim shumë i rëndësishëm, i akorduar nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë, adresuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe trajnimeve të vazhdueshme në instituicionet e vuajtjes së dënimit.
Së fundmi, më lejoni të shpreh bindjen time të palëkundur se në asnjë rast nuk duhet lejuar nënshtrimi i ligjit në emër të forcës së pushtetit politik, apo të pushtetit të kundraligjshëm të parasë.
Dhe për këtë Qeveria Shqiptare i ka akorduar Ministrisë së Drejtësisë, rreth 15 milion Dollarë, më shumë se viti elektoral 2013, të cilat në pjesën më të konsiderueshme do të shkojnë për reformimin, modernizimin dhe dixhitalizimin e sistemit penitenciar.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një ligj i respektuar nga të gjithë, edhe përmes vetëdijes qytetare, apo instrumentave të rrepta dhe korrekte të zbatimit të tij, janë pasaportë e dytë për Shqipërinë per integrimin e saj ne BE.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.