Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço i është përgjigjur interesit të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, lidhur me disa çështje konkrete mbi funksionimin e KLD-së.
“Besoj se KLD-ja nuk ka funksionuar siç duhet dhe i është shmangur ligjit, që do të thotë se ka treguar një mungesë efiçence. E them këtë duke iu referuar edhe disa fakteve, tepër kokëforta, për cilindo që do ta lexojë ligjin ashtu siç duhet lexuar. Mjafton të përmend faktin se prej vitit 2012 nga paraardhësi im i janë dërguar KLD-së procedimet disiplinore për tre apo katër gjyqtarë, dhe prej 700 ditësh, KLD-ja nuk i ka futur në rendin e ditës. Besoj se kjo mjafton për të treguar shmangien nga rruga e ligjit”, sqaroi Ministri Naço në lidhje me propozimet e referuara pranë KLD-së për disa procedime disiplinore.
Situatë të papranueshme e ka konsideruar Ministri Naço edhe faktin që nga 29 kryetarë gjykatash, në muajin Shtator ka gjetur të emëruar vetëm 6 kryetarë gjykatash, ndërsa pjesa tjetër ishin të komanduar apo të deleguar prej disa vitesh, sikurse cilësoi rastin e një gjyqtari në Vlorë, prej 6 vitesh të komanduar.
Referuar këtij fakti, z. Naço u shpreh se kaq mjafton që të gjithë ta kuptojnë se KLD-ja ka ndjekur një axhendë të cilën nuk e përcakton ligji.
“Shmangia nga fryma e ligjit, lënia për një kohë shumë të gjatë e gjyqtarëve të paemëruar tregon qartë për veprime të bëra për qëllime klienteliste që anëtarët e KLD-së “t’i nxirrnin gështenjat me duart e të tjerëve”. Një tjetër fakt që dua t’ju jap lidhet më dy kandidatë që konkuronin me njëri-tjetrin për kryetar të një gjykate. Kandidati i parë mori 13 vota ndërsa i dyti nuk mori asnjë votë. Çudia ndodhi mbas 2 javësh, kur gjyqatri që nuk mori asnjë votë u emërua në Gjykatën e Apelit. Më sipër ju dhashë disa fakte se si ka funksionuar KLD-ja. Në të gjitha emërimet e fundit që janë bërë apo edhe ngritjet në detyrë është shkelur ligji”, theksoi Ministri Naço
Bazuar edhe mbi deklaratat e fundit të ekpertëve të huaj mbi sistemin e drejtësisë dhe atij gjyqësor në veçanti, Ministri Naço vuri në dukje se gjendja e sistemit gjyqësor është e tillë për shkak të qëndrimeve që mban KLD-ja, të cilën ai deklaroi se e ka ftuar që të evitojë çdo mungesë efiçence, të tregojë përgjegjshmëri dhe integritet në emërimet që bën.
“Edhe për emërimin e magjistratëve pati problematikë, kur 16 prej tyre nuk futeshin në rendin e ditës nga KLD-ja, sepse në Gjykatën e Tiranës vendet vakante donin t’i plotësonin me ata që do të vinin nga rrethet. Lidhur më këtë fakt mund t’ju them se kandidatët që erdhën në Tiranë, nuk i plotësonin kriteret sepse Gjykata e Tiranës është një gjykatë karriere, ndërsa magjistratët janë dërguar në rrethet më të largëta”, u shpreh z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.