Ministri Naço: KLD-ja, bashkëfajësi për gjendjen skandaloze të drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/07/2014

Ministri Naço: KLD-ja, bashkëfajësi për gjendjen skandaloze të drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë përmes vendimmarrjes së djeshme vulosi haptazi qëndrimin e vet në kundërshtim të plotë me interesat e publikut dhe të çdo shqiptari për të patur një sistem drejtësie të drejtë e funksional.

 

Dje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranoi bashkëfajësinë e vet të plotë për gjendjen skandaloze ku ndodhet sistemi i drejtësisë shqiptare.

 

“Shfajësimi” që ky Këshill i dha gjyqtarëve që skandalizuan mbarë opinionin publik përmes pasurisë së deklaruar, ende të pajustifikuar, është fakti më i fortë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me interesin e publikut.

 

Si Ministër i Drejtësisë, duke gjykuar të gjitha ngjarjet e fundit, por sidomos vendimmarrjen e djeshme flagrante të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shpreh bindjen se qeveria nuk është më në kushtet për të bashkëpunuar me këtë Këshill të Lartë Drejtësie.

 

Nga ana tjetër, ne i dimë fare mirë limitet që ekzekutivi ka mbi drejtësinë, prandaj e kemi domosdoshmëri për t’iu drejtuar Parlamentit.

 

I takon deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit që të shprehen se çfarë do të bëjnë me anëtarët që i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

 

Do të mbyllin sytë përpara vendimit skandaloz të radhës duke mbajtur edhe ata turpin e KLD-së dhe të këtij sistemi, apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje skandaloze dhe do të kontribuojnë për një sistem të drejtë drejtësie?!

 

Sot, edhe njëherë gjej rastin të ftoj të gjithë qytetarët dhe shoqërinë civile të mos qëndrojnë indiferent ndaj fenomenit të korrupsionit, por të denoncojnë apo të paraqesin ankesë për çdo gjyqtar dhe prokuror, çdo nëpunës apo aktor të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, në lidhje me:

 

  • rastet apo praktika korruptive;
  • raste të shkeljeve të ligjit;
  • shkelje të etikës profesionale gjatë ushtrimit të detyrës;
  • apo fshehje të pasurisë.

 

Numri im si Ministër i Drejtësisë është i hapur për këdo dhe në çdo moment, për të patur një kontakt të drejtpërdrejtë me secilin qytetar.