Përmbushja e detyrimeve që institucionet kanë ndaj qytetarëve dhe impakti i shërbimit të tyre, ishte objekti i inspektimit që Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka zhvilluar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluatjshme.
“Unë kam ardhur sot këtu për të parë se si shërbehen qytetarët në lidhje me aplikimin që ata bëjnë. Në portalin online të antikorrupsionit ka mbi 41 ankesa për këtë shërbim, kryesisht që ai nuk jepet në kohë. Në programin e qeverisë është parashikuar të reformohet dhe modernizohet ky sistem nëpërmjet dixhitalizimit dhe unë besoj se shumë shpejt qytetarëve do t’ju jepet një shërbim më i shpejtë. Brenda disa ditësh këtu do të fillojë që nëpërmjet një tabele elektronike të aplikohet për marrjen e një numri të caktuar, duke mundësuar që të mos ketë kaq shumë njerëz dhe të shërbehet më shpejt”, u shpreh z.Naço
Ministri Naço vuri në dukje se ky institucion ka probleme të mbartura ndër vite, një pjesë e së cilave sipas tij janë shkaktuar si pasojë e korrupsionit.
“Për hir të së vërtetës duhet ta pranojmë që “peshkaqenët” e hipotekës janë përpjekur që të shikojnë interesat e tyre personale dhe jo t’u shërbejnë qytetarëve. Rast pas rasti, gjatë ditëve që vijnë media dhe organi i prokurorisë do të njihen me kontrollet konkrete që kemi bërë dhe me kallzimet për ish zyrtarë që kanë abuzuar me detyrën dhe nuk iu kanë shërbyer qytetarëve por i kanë shërbyer xhepit dhe familjarëve të tyre”, tha Ministri Naço
Gjithashtu Ministri Naço garantoi se nëpërmjet dixhitalizimit të këtij sistemi do të dalin rast pas rasti edhe mbivendosjet edhe falsifikimet e bëra.
“Unë dëgjova edhe disa qytetarë që më përcollën shqetësimet e tyre. Të paktën me një sy të lirë, njëra nga certifikatat që pashë dukej qartë se ishte e falsifikuar, pra një zyrtar i djeshëm i ka dhënë një certifikatë të falsifikuar qytetarit, ndaj edhe thashë se këta “peshkaqenë” që përpiqeshin për të mbushur xhepat e tyre, nesër do të përgjigjen para drejtësisë për shërbimin ndaj qytetarëve”, përfundoi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.