Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço i ka propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedimin disiplinor si dhe marrjen e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibrahim Hoxha. Në përputhje me nenin 31 të Ligjit nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, kësaj kërkese i është bashkëngjitur dokumentacioni me të dhënat përkatëse, të cilat provojnë shkeljet e bëra nga gjyqtari.
Gjyqtari Ibrahim Hoxha, në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat procedurale përgjatë gjykimit të çështjes penale shpallur me vendimin nr. 490, datë 08.03.2013, në të cilin ndër të tjera ka vendosur: Pezullimin e ekzekutimit të ekstradimit të të pandehurit, Paro Laçi, nga Shqipëria drejt Italisë, ndërkohë që kjo kompetencë është e drejtë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë, si dhe ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar lirimin e tij .
Ky vendim është cënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila me Vendimin nr.186, datë 03.04.2013, ka vendosur: Prishjen e vendimit të mësipërm për pezullimin e ekzekutimit dhe shfuqizimin e vendimit lidhur me caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”. Urdhërimin e paraburgimit të shtetasit Paro Laçi, në zbatim të nenit 498 të Kodit të Prodcedurës Penale për efekt të ekstradimit.
Si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi i është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit.
Veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibrahim Hoxha, janë shkelje shumë të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “c” të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se:
“Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë: … c) shkelja e pajustifikuar dhe e përsëritur e dispozitave urdhëruese procedurale, kur këto shkelje kanë passjellë ose mund të sillnin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.