Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i pranishëm në takimin e nivelit të lartë “ Për një drejtësi pa vonesa ”, ka garantuar se do të jetë në krah të çdo reforme që ndikon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi.
Kreu i drejtësisë shqiptare theksoi se institucioni që ai drejton, mbetet i vendosur në realizimin e reformave, të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor.
Më poshtë fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:
Projekti “Për një drejtësi pa vonesa”, synon përqasjen me praktikat më të mira të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në drejtim të shpejtësisë së gjykimit dhe të efiçencës.
Është fakt i pamohueshëm që sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Në këtë kuptim ky projekt i përbashkët vjen si një sfidë ndaj këtij fenomeni, duke treguar se është e mundur të arrihet gjykimi i çështjeve në një kohë të shpejtë madje edhe pa ndryshime ligjore.
Eksperienca e deritanishme në gjykatën e Krujës tregon se që në fillimet e tij ky projekt ka dhënë rezultate dhe treguesit janë premtues që kjo eksperiencë të shtrihet edhe në gjykata të tjera.
Për këtë, përveç partnerëve që na mbështesin, do të doja të falenderoja gjithashtu edhe gjyqtarët dhe stafin e kësaj gjykate, të cilët me gadishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre po mundësojnë suksesin e këtij projekti.
Në këtë kuptim, ky projekt kërkon që, më së pari të pranohet nga vetë gjyqtarët e më pas të zbatohet prej tyre pa hezitim.
Janë të pa tolerueshme rastet e zvarritjes së gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, apo rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi.
Dua të sjellë në vëmendjen tuaj shqetësimin e një qytetari, i cili prej vitesh mbahej peng e zvarritjeve të pajustifikuara nga ana e gjykatës.
I dekurajuar në maksimum nga neglizhenca e treguar në gjykim, përmes një letre adresuar në Ministrinë e Drejtësisë, qytetari shprehej se: “do të kishte qenë më mirë që të kërkoja pushimin e gjykimit dhe hapjen e një padie të re, sesa të përballesha me zvarritjet e pajustifikuara të çështjes”.
Këto shembuj jo vetëm që ndikojnë drejtpërdrejt në percetimin negativ të publikut, në uljen e besimit të tyre te sistemi i drejtësisë, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor.
Gjithsesi, në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mos pjesëmarrje të palëve në proces, apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave.
Kam parasysh këtu përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, palë në gjykim, të cilët bëhen shkak për shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale.
Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore, jo vetëm të përfaqsohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhërat e vendimet e gjykatës gjatë seancave gjyqësore.
Për këtë qëllim, janë ftuar sot në këtë takim edhe drejtuesit e institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, së pari për t’u njohur me këtë projekt të rëndësishëm, por edhe për t’u angazhuar drejt një përpjekje të përbashkët në realizimin me sukses të tij.
E drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm është një nga të drejtat themelore të njeriut në një shoqëri të bazuar në shtetin e të drejtës.
Kohëzgjatja dhe cilësia e gjykimit janë dy faktorët kryesorë, që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin dhe besimin e njerëzve tek sistemi i drejtësisë.
Përtej perceptimit dhe besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, gjykimi brenda një afati të arsyeshëm është një detyrim kushtetues dhe ligjor për çdo gjyqtar.
Sa herë kam patur rastin të shprehem mbi fillimin nga puna të Gjykatave Administrative, i kam cilësuar ato me bindje një revolucion të vërtetë, kjo për faktin se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit ka afate të mirëpërcaktuara kohore, në respektim të të drejtave të palëve për një proces të rregullt ligjor.
Në këtë kuptim, kërkesa për një gjykim të shpejtë vjen jo vetëm në kuadër të efiçencës në gjykim, por edhe si një detyrim kushtetues, ndaj duhet të përbëjë një angazhim serioz për çdo gjyqtar të sistemit.
Po kështu do të duhet të kemi në vëmëndje jo pak vendime të Gjykatës së Strazburgut në kuadër të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat elaborojnë shpejtësinë në gjykim dhe materializimin e të drejtës së palëve, si një element mjaft të rëndësishëm të proces të rregullt ligjor.
Shqipëria është gjithashtu anëtare e Komisionit Evropian për efiçencën në Drejtësi, një iniciativë kjo e Këshillit të Evropës për promovimin e standardeve ndërkombëtare për një drejtësi të drejtë dhe të shpejtë.
Dokumenti i miratuar në 2006 nga ky Komision “Përmbledhje e praktikave të mira” për menaxhimin e kohës në procedimet gjyqësore” është një udhërrëfyes në punën tonë për reformimin e sistemit të drejtësisë për sa i përket efiçencës.
Vlen të përmendet gjithashtu se Këshilli i Evropës ka përcaktuar në Rekomandimin Nr. R(84)5 se “normalisht, procedimet civile, duhet të përbëhen nga jo më shumë se dy seanca”.
Gjithashtu kodet e procedurave penale dhe civile ngarkojnë gjykatat dhe gjyqtarët me përgjegjësinë për të garantuar që të gjithë palët në proces gjykimi të shmangin vonesat e panevojshme.
Lejomëni t’ju drejtohem, por dhe t’ju bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve, që në konsideratë dhe të implementimit të programit pilot “Për një drejtësi pa vonesa”, në ndryshim nga praktika e vërejtur deri më sot, të marrin një rol aktiv në përgatitjen, planifikimin, mbarëvajtjen e proceseve të gjykimit, duke marrë masat e nevojshme për reduktimin, në minimum të zvarritjeve të proceseve gjyqësore.
Ashtu siç ka shumë problematika, të cilat kërkojnë ndërhyrje ligjore dhe ne jemi të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, ka edhe një seri problematikash që ndikojnë në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, të cilat kërkojnë vetëm vullnetin e duhur për tu zbatuar.
Planifikimi më i mirë i seancave gjyqësore, nëpërmjet konsultimit paraprak me palët, zbatimi rigoroz i sanksioneve ligjore të parashikuara për mungesat e pajustifikuara në seancat gjyqësore të palëve në gjykim, me qëllim zhvillimin normal të procesit gjyqësor, janë disa hapa konkretë që nuk kërkojnë ndërhyrje ligjore, por vetëm një qëndrim më aktiv të gjyqtarëve.
Besoj se është vendi të përmend se sipas studimit të fundit të Prezencës së OSBE-së “Drejt Drejtësisë” të prezantuar në 2013, dy nga tre shkaqet kryesore të numrit të lartë të seancave në proceset civile ishin procedurat joefikase përgatitore nga ana e gjyqtarëve dhe mungesa e pjesëmarrësve në gjykim.
Kështu në 143 seanca të vëzhguara, 47.7% e tyre ishin seanca joproduktive dhe 109 prej tyre janë shtyrë.
Sigurisht që me këto tregues nuk pajtohen përdoruesit e gjykatave, por nuk duhet të pajtohen gjithashtu as KLD e as Ministria e Drejtësisë.
Në këtë kuptim çdo tejzgjatje dhe zvarritje e pajustifikuar e proceseve gjyqësore duhet të jetë objekt verifikimi dhe kontrolli.
Po kështu, nga ana jonë, do të tregohet përkushtimi maksimal që projektet për reformimin, modernizimin dhe dixhitalizimin e sistemit gjyqësor të shkojnë deri në fund.
Kam parasysh këtu sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore civile dhe penale, sistemin e regjistrimit të çështjeve me mjete audio e më pas me video.
Realizimi i seancave gjyqësore më produktive dhe efikase janë rruga e duhur drejt reformimit të sistemit të menaxhimit të seancave gjyqësore dhe garantimit të drejtës kushtetuese për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.
Së fundi dua të falënderoj edhe një herë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe USAID-in dhe të shpreh mbështetjen pa rezerva për Projektin pilot “Për një drejtësi pa vonesa”.
Shpresoj dhe besoj që ky model të rezultojë i suksesshëm dhe të shtrihet edhe në gjykata të tjera.
Domethënëse dhe aktuale mbetet dhe sot deklarimi i aktivistit, liderit të lëvizjes të të drejtave civile amerikane dhe afrikane Martin Luther King në “Letrën e tij nga burgu i Birmingamit”.
Ndërsa citonte një jurist të shquar Amerikan, ndër të tjera ka përdorur shprehjen “drejtësia shumë e vonuar, është drejtësi e mohuar”.
Ky do të jetë dhe emëruesi ynë në përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë duke materializuar të drejtën e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme në respektim të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të drejtës Ndërkombëtare në përgjithësi.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.