Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço ka marrë pjesë në Konferencën e Katërt Rajonale të Lidershpirt në Gjyqësor, për Regjistrimin Dixhital Audio në Gjykatat Shqiptare.
Konferenca është zhvilluar në kuadër të programit të USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) dhe pjesë e saj kanë qenë kryetarët, gjyqtarët, kancelarët, kryesekretaret, sekretaret gjyqësore dhe specialistët IT të gjykatave të rretheve gjyqësore Vlorë, Fier, Berat dhe Lushnjë, si dhe të Gjykatës së Apelit Vlorë, të cilët ndanë përvojat në zbatimin e teknologjisë RDA.
Në fjalën tij përshëndetësë gjatë konferencës, Ministri i Drejtësisë,z. Nasip Naço shprehu mirënjohjen e tij ndaj mbështetjes së dhënë nga USAID dhe theksoi se projekti i regjistrimit dixhital audio (RDA) është realizuar me sukses.
“Ministria e Drejtësisë vlerëson shumë rolin që ka luajtur projekti JUST i USAID-it si dhe partnerë të tjerë, që me mbështetjen e dhënë kanë kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij gjyqësor në veçanti. Një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare ka qenë dhe mbetet reformimi, modernizimi i sistemit të drejtësisë, rritja e transparencës, besueshmërisë, nëpërmjet përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit, e cila mbështetet në parimet dhe përcaktimet ligjore të së drejtës së informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo kërkon padyshim, krahas ndryshimeve dhe përmirësimeve në legjislacion, bashkëpunimin, mbështjetjen dhe asistencën e partnerëve si në fushën logjistike dhe atë operative”, u shpreh Ministri Naço
Ministri Naço vlerësoi së kjo reformë ndikon drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor, për ta bërë atë më transparent, më të përgjegjshëm, më të kontrollueshëm dhe më të besueshëm për publikun dhe qytetarët.
“Sistemi i regjistrimit audio është sistemi më modern i regjistrimit të seancave gjyqësore, nëpërmjet të cilit do të ruhet e plotë çdo fjalë e thënë në një proces gjyqësor, për t’iu vënë në dispozicion palëve dhe publikut, në çdo kohë, sipas të gjitha standardeve më të mira ndërkombëtare. Ky sistem ndihmon në mbështetjen e gjykimit të drejtë, që bazohet në mënyrë efikase tek aksesi direkt në të dhëna aktuale, dhe jo tek kujtesa e asaj që ka ndodhur gjatë seancës”, tha z. Naço
Gjithashtu z. Naço vuri në dukje se me krijimin e regjistrimeve të pandryshueshme audio, kjo teknologji ndikon në një sjellje me më shumë profesionalizëm dhe etikë në sallën e gjyqit.
“Para disa vitesh kam qenë pjesë e sistemit gjyqësor, me një mungesë të dukshme të teknologjisë bashkëkohore. Sot pas disa vitesh të kthimit tim në këtë sistem, kam fatin që u prezantova dhe u bëra pjesë e reformave të rëndësishme në drejtim të dixhitalizimit të këtij sistemi, i cili po jep rezultate të prekshme dhe të dukshme. Instalimi i sistemit të regjistrimit audio të seancave gjyqësore ka ecur me ritme të kënaqshme. Deri tani ai është instaluar në 24 gjykata dhe 110 salla gjyqi dhe gjithashtu janë trajnuar 295 gjyqtarë dhe i gjithë stafi administrativ i 24 gjykatave në shkallë vendi. Përsa i takon treguesve të seancave gjyqësore, ku procesverbali mbahet me mjete audio, numri në total është 76 263, me një përqindje mesatare në shkallë vendi prej 73 %”,theksoi z. Naço
Ndërsa shprehu bindjen e tij se dixhitalizimi do të sjelli rritjen e profesionalizmit të aktorëve të drejtësisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës, duke reduktuar nivelin e korrupsionit, Ministri Naço theksoi se implementimi i këtij projekti, në të gjitha gjykatat, do të rrisë ndjeshëm angazhimin qytetar, ndërgjegjësimin publik lidhur me fenomenin e korrupsionit si dhe fuqizimin e rolit të medias në raportimin e rasteve korruptive në gjyqësor dhe institucionet shtetërore.
“Është e rëndësishme për të gjithë sistemin që ne të inkurajojmë gjyqtarët e ndershëm, të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë, të forcojmë çdo ditë pavarësinë e tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi”, përfundoi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.