Ministri Naço diskuton mbi projektligjin për 'Për kthimin dhe kompensimin e pronës' - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/04/2015

Ministri Naço diskuton mbi projektligjin për ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka diskutuar në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë mbi projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, i ndryshuar”.

 

Ky projektligj është paraqitur për diskutim pranë kuvendit dhe propozimi i tij vjen në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë.

 

Ministri Naço ka theksuar se këto ndryshime janë të nevojshme për dy arsye kryesore duke vënë në dukje vijimin e funksionimit të AKKP-së dhe realizimit prej saj të detyrave funksionale, në funksion të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, si dhe për t’i dhënë kohën e duhur realizimit të reformës së plotë dhe përfundimtare ligjore dhe institucionale të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës në shqipëri.

 

“Ju mund të më kujtoni se përpara një viti, ne ishim në këtë sallë dhe kërkuam kohë për 1-vit, për kryejen e një reforme të thellë institucionale dhe ligjore në fushën e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Sot me kënaqësi mund t’ju them se reforma është në fazën përfundimtare të saj. Si sot një vit më parë në muajin Prill 2014 qeveria miratoi një plan të strukturuar dhe të qartë veprimi per zbatimin e vendimit pilot te Gjykates Evropiane per te Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqiperise”‘. Në funksion të këtij plani veprimi ne kemi ecur me ritmet e duhura”, tha ndër të tjera z. Naço

 

Ministri Naço sqaroi se ky projektligj është konsultuar me ekspertët e Komisionit Europian dhe Bankës Botërore, IOM, si dhe ekspertë të tjerë të thirrur për konsultim në këtë proces dhe aktualisht ky projektligj është në fazën ku po reflektohen sugjerimet e ekspertëve dhe shumë shpejt do të kalojë, për konsultim me gjithë grupet e interesit dhe publikun e gjerë .

 

“Është pikërisht rëndësia që i kushtojmë këtij procesi, e cila na detyron të jemi të matur dhe të kujdesshëm që zgjidhja ligjore që do t’i ofrojmë shqiptarëve të jetë mundëisht e pranuar nga të gjithë dhe për këtë kërkojmë kohën e nevojshme për ta përmbyllur me sukses këtë reformë të madhe. Për këtë arsye me interes publik, por për të mos lënë mënjanë asnjë detyrë ligjore dhe funksionale që AKKP duhej të realizojë ndërkohë, kemi sjellë përpara kuvendit propozimin për shtyrjen e afatit të funksionimit të ligjit aktual me një periudhë 6-mujore, afat ky i vlerësuar prej nesh si i nevojshëm për të përmbyllur procesin e konsultimit, reflektimit, propozimit dhe miratimit të projekt ligjit të ri që po hartojmë për futjen në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të cështjes së pronaveNdaj në këtë mënyrë, duke qenë se afati i ligjit në fuqi përfundon sot më datë më 30.04.2015, është e nevojshme që ky afat të shtyhet dhe AKKP të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë ligjore, në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë. Pra brenda këtij afati prej 6-muajsh, këtij Kuvendi të nderuar  do t’i parqitetet një projektligj i plotë, për një zgjidhje përfundimtare të cështjes së pronave të shtetëzuara në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, propozohet zgjatja e afatit për ligjin aktual”, u shpreh z. Naço.