Ministri Naço: Bashkëpunimi me Komisionin e Venecias, garanci për suksesin e reformave - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/01/2015

Ministri Naço: Bashkëpunimi me Komisionin e Venecias, garanci për suksesin e reformave

I pranishëm gjatë konferencës me temë “Komisioni i Venecias dhe Shqipëria, dinamizmi i legjislacionit shqiptar drejt standardeve europiane”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço theksoi se ndryshimet kushtetuese janë përcaktuese, përsa i takon prespektivës së proceseve reformuese në sistemin e drejtësisë dhe se në këtë kuadër roli i Komisionit të Venecias mbetet i një rëndësie të jashtëzakonshme, për ta orientuar drejt këtë proces kaq sfidues, përmes konsulencës ligjore.

 

Gjatë kësaj konference, ku i ftuar ishte edhe Presidenti i Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquiçhio, nga ana e Ministrit të Drejtësisë, u vlerësua si thelbësore thellimi i bashkëpunimit me Komisionin e Venecias në drejtim të reformës kushtetuese, forcimit te ligjit, funksionimit demokratik të institucioneve si dhe sigurimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

 

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 

 

Sundimi i ligjit dhe respektimi i vlerave demokratike, janë dy procese drejt së cilës përqëndrohen energjitë e çdo shoqërie moderne evropiane.

 

Matja e këtyre vlerave dhe monitorimi nga afër i tyre, mbetet një nga sfidat kryesore të çdo aktori, që ka interes në ndërtimin e një kornize ligjore reformatore në Shqipëri, e cila synon ngritjen e institucioneve me rrënjë të thella, në promovimin e shtetit ligjor.

 

Në këtë kuadër, padyshim, që roli i Komisionit të Venecias mbetet i një rëndësie të jashtëzakonshme,

për ta orientuar drejt këtë proces kaq sfidues, përmes konsulencës ligjore, në drejtim të ndryshimeve kushtetuese, që janë përcaktuese, përsa i takon prespektivës së proceseve reformuese në sistemin e drejtësisë.

 

Referuar rëndësisë që paraqet mendimi dhe ekspertiza ligjore e Komisionit të Venecias, më lejoni të shpreh vendosmërinë time, si Ministër i Drejtësisë, për ta thelluar bashkëpunimin, duke e konsideruar të paçmueshme vlerën e çdo  mbështetjeje, në drejtim të:

 

– reformës kushtetuese,

 

– forcimit te ligjit,

 

– funksionimit demokratik të institucioneve,

 

– sigurimit te sundimit te ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 

Sikur kam pasur rastin ta shpreh edhe më herët, finalizimi i një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë, është një nga synimet kryesore dhe ne jemi të vendosur ta realizojmë, nën asistencën dhe konsultimin e Komisionit të Venecias,

si dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, si Euralius, OSBE, Pameka, OPDAT , USAID etj.

 

Më lejoni të sjell në vëmëndjen tuaj se, si qeveria, ashtu edhe kuvendi, po përcjellin të njëjtën frymë vullneti për bashkëpunim, në mënyrë që këtë reformë ta realizojmë së bashku, në kohën dhe në mënyrën e duhur, që hapat të cilat do të hidhen të jenë të sigurtë, të përmirësojnë gjendjen aktuale, si dhe t’i rezistojnë në vijim kërkesave dhe zhvillimeve të vendit.

 

Është padyshim në interesin e Shqipërisë, thellimi i bashkëpunimit dhe i angazhimit të Komisionit të Venecias, në përshfaqjen e pikëpamjeve, rekomandimeve dhe opinionit mbi ecurinë e ndryshimeve ligjore apo dhe kushtetuese, duke shërbyer si një gur themeli për rimëkëmbjen e mëtejshme,të sundimit të ligjit në vendin tonë.

 

Si Ministër i Drejtësisë, që në muajt e parë të qeverisjes, në emër të qeverisë shqiptare, i kam kërkuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, dhënien e asistencës dhe ekspertizës më të mirë mbi reformat në Sistemin e Drejtësisë, dhe qëndoj  i pandryshuar në mendimin tim se, suksesi i reformave do të ndërvaret nga bashkëpunimi dhe kontributi i Komisionit të Venecias dhe faktorëve dhe aktorëve vendas dhe ndërkombëtar, ku padyshim dhe roli i opozitës, do të jetë një garanci më shumë për gjithpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre reformave.

 

Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar takime konsultative, mbi evidentimin e problematikave që mbart sistemi i drejtësisë, si dhe nevojën për ndryshime të mundshme ligjore.

 

Janë zhvilluar tryeza dhe konferenca konsultative, si ai i datës 6 Tetor, i organizuar nga Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, me pjesëmarrjen në nivelet më të larta të politikës, të Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Kryetarit të Opozitës dhe ekspertëve më të mirë vendas dhe të huaj.

 

Tryeza e organizuar nga Ministri i Drejtësisë, i datës 31 Tetor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas e të huaj, si dhe konferenca mbi prezantimin e Projektit Euralius IV, organizuar me pjesëmarrjen e faktorëve të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.

 

Për shkak të rëndësisë dhe aktualitetit të reformave në fushën e drejtësisë, u ngrit Komisioni i Posaçëm Parlamentar.

 

Kjo strukturë e veҫantë parlamentare, do të bashkëpunojë ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë, Komisionin e Venecias, Misionin Euralius, OPDAT, OSBE dhe partnerë të tjerë për realizimin e një reforme të gjithanshme e të matshme, me synim shndërrimin e sistemit gjyqësor në një sistem efektiv, të përgjegjshëm, transparent dhe që lufton pandëshkueshmërinë.

 

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një raport, mbi analizën e gjendjes aktuale të organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke evidentuar problematikat dhe identifikuar nevojat për përmirësimin e funksionimit dhe organizimit të institucioneve.

Në realizimin e këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ka shfrytëzuar të gjitha raportet e deritanishme të partnerëve ndërkombëtarë, që kanë asistuar sistemin e drejtësisë në tërësi dhe institucionet shqiptare në veҫanti si dhe nevojën për ndërhyrje të mundshme legjislative, në bashkëpunim të ngushtë me aktorët ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e proceseve konsultative.

 

Ofrimi i garancive ligjore për vetërregullimin e sistemit të drejtësisë, si në aspektin funksional ashtu dhe atë përmbajtësor, do të jetë një ndër synimet kryesore të reformës, duke e konsideruar këtë qasje, si shprehje e vullnetit, për t’i siguruar sistemit të drejtësisë një reformim të thellë dhe të qëndrushëm .

 

Sikurse kemi pasur rastin ta bëjmë me dije edhe më parë, reformën synojmë ta përqëndrojmë në këto shtylla:

 

• Reformimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese;

 

• Reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;

 

• Reformimi i Prokurorisë;

 

• Reformimi i Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar;

 

• Reformimi i Organizimit Gjyqësor dhe të

 

• Konferencës Gjyqësore Kombëtare

 

Asistenca për reformën e sistemit gjyqësor në Shqipëri, është një çështje për të cilën i jam drejtuar Komisionit të Venecias, që në nisjen e mandatit tim si Ministër i Drejtësisë, i shqetësuar për gjendjen dhe problematikën që mbart sistemi.

 

Më pas, në vijimësi të komunikimeve zyrtare dhe takimeve të zhvilluara me ekspertë të Komisionit të Venecias, Ministria e Drejtësisë ka identifikuar fushat kryesore për reformim, për të cilat është kërkuar asistenca e Komisionit të Venecias, për të marrë opinione ligjore, të tilla si:

 

1.​Ekuilibri ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe brenda pushtetit gjyqësor.

 

2.​Ripërcaktimin e pozitës kushtetuese të Gjykatës së Lartë.

 

3.​Reforma për funksionimin dhe organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

4.​Rritja e profesionalizmit në administratën gjyqësore.

 

5.​Përcaktimi i qartë I pozicionit kushtetues të institucioneve të tjera gjyqësore.

 

6. Ndryshimet në fushën Kushtetuese dhe Ligjore

7. Përfshirjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ndaj procedurave të vlerësimit dhe masave disiplinore, për shkak të perceptimit të korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.

Kjo pasi, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, nuk i nënshtrohen procedurave të vlerësimit ose procedimeve disiplinore, si gjyqtarët e rretheve apo të apelit.

Ata mund të shkarkohen nga Parlamenti, por kjo nuk mund të zëvendësojë një procedurë disiplinore.

Në propozimet tona kemi parashtruar mundësinë që Gjykata  e Lartë të jetë nën kontrollin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

8. Është fakt i njohur që në Gjykatën e Lartë janë mbi 10.000 çështje që presin prej vitesh të gjykohen,dhe nxjerrja e më shumë vendimeve unifikuese, do të sjellë zvogëlimin në praktikë të ngarkesës, shoqëruar kjo dhe me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile, ku jo çdo çështje që gjykohet në shkallën e parë dhe të apelit të shqyrtohet detyrimisht edhe nga Gjykata e Lartë.

 

9. Shndërrimi i Gjykatës së Lartë në një Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve të qarta dhe transparente, në emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi eksperiencës në gjyqësor.

 

10. Kemi kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias, në ushtrimin e ndëshkimit nga ana e gjyqtarëve të avokatëve, të cilët në mënyrë të përsëritur mungojnë në seancat civile apo penale gjyqësore, me propozime konkrete në Kodin e Procedurës Civile dhe Penale.

 

Vlerësojmë se adresimi i këtyre propozimeve do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

 

11. Kemi vlerësuar si prioritare rritjen e transparencës, që lidhet me emërimin, promovimin, transferimin,

procedimin disiplinor të gjyqtarëve, për të cilën kemi kërkuar ndërhyrje.

 

Kjo do të synojë nga njëra anë ruajtjen e pavarësisë së qeverisë së gjyqësorit, që është KLD-ja, por nga ana tjetër evitimin e emërimit dhe të promovimit në karrierë të gjyqtarëve në bazë të sistemit korpooratist, nepotik e klientelist.

 

Për këtë shprehim bindjen se:

 

  • Organizimi i një sistemi më të qartë dhe të matshëm peridodikisht të vlerësimit profesional të gjyqtarëve;

 

  • sanksionimi i kritereve objektive për rekrutimin, avancimin në karrierë dhe transferimin e gjyqtarëve, duke vënë theksin tek profesionalizmi, integriteti, ndershmëria dhe përvoja në detyrë,

 

  • forcimi i sistemit të inspektimit dhe ndëshkimit disiplinor,

 

  • si dhe transparenca në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë,

 

janë ndër drejtimet kryesore të reformës në këtë institucion.

 

12. Qartësimi i kompetencave të dy inspektorateve për kontrollin e sistemit gjyqësor nga ana e Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë është një masë që do të shërbejë në forcimin e mekanizmave monitorues.

 

13. Transformimi i këshillit të prokurorisë, nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës, përsa i përket emërimit dhe masave disiplinore për prokurorët, do të ndikojë në: përzgjedhjen, emërimin, ​ecurinë në karrierë, rritjen e performancës dhe përgjegjshmërisë, në funksion të ushtrimit të detyrave  nga ana e prokurorëve.

 

14. Reformimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kualifikimin e gjyqtarëve kushtetues si dhe procedurën e përzgjedhjes së tyre, është prioritare dhe është pjesë e ndryshimeve të propozuara.

 

15. Përcaktimi në ligj i kritereve për përzgjedhjen dhe karrierën e trupës pedagogjike të Shkollës së Magjistraturës, janë masa legjislative që mund të konsiderohen si të dobishme, me qëllim rritjen e pavarësisë dhe cilësisë programore të këtij institucioni.

 

 

Analiza e thellë e funksionimit të sistemit te drejtësisë, që e kemi kryer tashmë, është një hap i rëndësishëm për  vazhdimin e ndërhyrjeve reformatore, që kemi ndërmarrë, në funksion të: forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë, si gur themeli në garantimin e  sundimit të së drejtës, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

 

Kjo analizë padyshim i ka shërbyer evidentimit të problematikave, që ka sistemi i drejtësisë shqiptare, ngërceve institucionale të krijuara nga mosimplementimi i ligjeve dhe mosfunksionimi i tyre,

si  rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit.

 

Raporti mbi analizën e problematikave të sistemit të drejtësisë, do të shërbejë si  një dokument strategjik për Komisionin e Posacem pranë Kuvendit të Shqipërisë, i cili do ta konsultojë atë më gjerë me faktorët e aktorët, vendas e të huaj.

 

Në këtë prizëm, roli i Ministrisë së Drejtësisë nuk do të jetë vetëm teknik, por një rol bashkërendues me Komisionin e Posaçëm, të krijuar në Parlamentin e Shqipërisë, për t’i dhënë një frymë më kuptimplotë kësaj reforme.

 

Kam besim se angazhimi i plotë politik, gjithpërfshirja e kontributeve të aktorëve të sistemit të drejtësisë, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, shoqërisë civile etj, do të realizojnë një reformë tërësore dhe me standarte të larta.

 

I bindur në rolin e padiskutueshëm të ekspertizës së Komisionit të Venecias vlerësoj se, asistenca rekomandimet opinionet e kësaj trupe, do të jenë një vlerë e shtuar dhe një garanci në vijimin me sukses të reformave afatgjata e gjithpërfshirëse, brenda standarteve europiane,  në sistemin e  drejtësisë, çka përbën bazën e një demokracie të mirëfilltë dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor.