Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, priti sot në një takim përfaqësues të lartë të Kryesisë së Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku u diskutuan të gjitha problematikat dhe shqetësimet në lidhje me grevën që pozhvillohet nga avokatët ditët e fundit.
Ministri Manjani vlerësoi angazhimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë që, pavarësisht grevws, të mos bojkotoheshin seancat gjyqësore të masave të sigurisë. Në takim u vlerësua gjithashtu, nevoja për dialog dhe për bisedime për çdo çështje që përmirëson shërbimin. Me qëllim arritjen e një dakordësie, u vendos që të fillojë dialogu me Dhomën Kombëtare të Avokatisë mbi bazën e propozimeve me shkrim të kësaj të fundit, që prekin formalizimin e tregut dhe regjimin fiskal të vendosur.
Nga ky takim i parë u ra dakord që të propozohet një model i njohur për matjen e punës së avokatit dhe i aplikuar në një vend Europian, model i cili do të ndihmojë avokatët në marrëdhëniet e tyre me klientët. Gjithashtu, një model i suksesshëm do t’i shërbente edhe organeve publike për transparencën fiskale, me qëllim formalizimin e tregut të shërbimit të avokatit dhe, në këtë mënyrë, shmangien e çdo fenomeni negativ si pasojë e informalitetit në sistem.
Ministri i Drejtësisë shprehu gatishmërinë për të normuar sa më mirë marrëdhëniet avokat- shtet dhe avokat- klient në shërbimet reciproke. Diskutimet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të vazhdojnë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.